E shtunë, 14 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Asambleja e PS, Blushi: Ishte një tjetër akt i dekompozimit të saj të pandalshëm politik

Asambleja e PS, Blushi: Ishte një tjetër akt i dekompozimit të saj të pandalshëm politik

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka reaguar pas mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, duke e cilësuar atë, siç njofton Shqiptarja.com, “një tjetër akt i dekompozimit të saj të pandalshëm politik”. Sipas tij, mbledhja nuk tregoi forcë, por dëshmoi përçarjen dhe konfliktin brenda mazhorancës.

Blushi theksoi se largimi i kryeministrit Edi Rama është kushti për t’i dhënë fund krizës në vend, duke argumentuar se qeverisja e tij nuk po prodhon më zgjidhje, por vetëm thellon ndarjet politike dhe pakënaqësinë qytetare.

Në deklaratën e tij, ai iu referua edhe analizës së ish-zëvendësministres socialiste të Financave, Irena Beqiraj, për ecurinë e çmimeve në vitet 2020–2025. Sipas shifrave të cituara prej tij, sheqeri është shtrenjtuar vetëm 5,5% në import, por 69% në tregun vendas; mielli 1,4% në import dhe 34% në dyqane; qumështi 3,2% në import dhe 42% në treg; ndërsa djathi 7,5% në import dhe 100% në dyqane.

Diferenca është edhe më e thellë te prodhimet e freskëta, vijoi Blushi: fasulet kanë rënë 21% në import, por janë shtrenjtuar 92% në tregun shqiptar; kastravecat kanë rënë 15% në import dhe janë rritur 78% në dyqane; specat po ashtu −15% në import, por +71% në treg; ndërsa domatet rreth −17% në import, por +55% në treg.

Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë së Lirisë, këto shifra ekspozojnë modelin ekonomik të qeverisë, ku përfiton një pakicë e privilegjuar, ndërsa qytetarët paguajnë faturën përmes çmimeve gjithnjë e më të larta në tregun vendas.

Lini një koment