E shtunë, 14 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Reshjet po mbushin Fierzën, përmirësohet situata hidroenergjetike pas thatësirës së gjatë!

Reshjet po mbushin Fierzën, përmirësohet situata hidroenergjetike pas thatësirës së gjatë!

Reshjet e rëna me intensitet në veri kanë shtuar prurjet në kaskadën e Drinit. Situata ka ndikuar edhe në nivelin e liqenit të Fierzës, ku kuota e ujit ka arritur në rreth 255 metra.

Sipas të dhënave, prurjet rezultojnë 100 m³ në sekondë. Por, pavarësisht kësaj, niveli në Fierzë mbetet i ulët, i ndikuar nga mungesa e reshjeve gjatë verës dhe vjeshtës.

Sipas një njoftimi zyrtar, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) ka zhvilluar një procedurë blerjeje energjie për periudhën 11–15 nëntor.

Në këtë procedurë janë blerë 21 mijë e 600 megavat-orë energji elektrike, me një vlerë totale prej 6.4 milionë eurosh. Blerja synon të sigurojë furnizimin me energji dhe të përmbushë nevojat e konsumit gjatë kësaj periudhe.

Ndërkohë, Shqipëria po synon të diversifikojë burimet e prodhimit të energjisë elektrike, me qëllim uljen e varësisë nga reshjet dhe kushtet atmosferike. Në këtë drejtim, energjia diellore po fiton gjithnjë e më shumë rëndësi, duke zënë aktualisht rreth 10 për qind të prodhimit total të energjisë në vend.

Zgjerimi i kapaciteteve të energjisë diellore dhe përdorimi i burimeve të tjera alternative shihen si mundësi për të rritur sigurinë energjetike dhe për të reduktuar ndikimin që ndryshimet e motit kanë në prodhimin vendas të energjisë elektrike.

Lini një koment