Rrugorja aksion në Durrës ndaj shoferëve problematikë, 950 masa administrative dhe 9 të drejtues të proceduar!
Policia Rrugore e Durrësit ka arrestuar katër shtetas dhe ka proceduar në gjendje të lirë pesë të tjerë gjatë kontrolleve të ushtruara në një javë, për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
Gjatë kësaj periudhe janë vendosur gjithsej 950 masa administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.
Prej tyre, 373 masa janë për tejkalim të normave të shpejtësisë, 18 për parakalime të gabuara, 4 për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit, 63 për mosvendosje të rripit të sigurimit dhe 5 për përdorim të celularit gjatë drejtimit të automjetit.
Gjithashtu, 87 masa janë vendosur për parkim ose qëndrim të gabuar, ndërsa 400 për shkelje të tjera të rregullave të qarkullimit.
Policia Rrugore bën të ditur se kontrollet vijojnë në të gjitha akset urbane, interurbane dhe rurale të qarkut, me fokus parandalimin e aksidenteve dhe evidentimin e drejtuesve të mjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit.
Në njoftimin e saj, Policia u bën apel drejtuesve të mjeteve të zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor, ndërsa qytetarët ftohen të denoncojnë shkeljet në numrin pa pagesë 112.