E shtunë, 14 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›Francë, sulm kibernetik ndaj platformës postare Maileva, vidhen të dhënat e 22 milionë qytetarëve

Francë, sulm kibernetik ndaj platformës postare Maileva, vidhen të dhënat e 22 milionë qytetarëve

Platforma postare franceze Maileva, pjesë e grupit La Poste, u godit nga një sulm kibernetik në shtator, gjatë të cilit u vodhën të dhënat e 22 milionë qytetarëve, të cilat më pas u publikuan në internet, siç njofton Shqiptarja.com.

Sipas deklaratës së kompanisë, të publikuar të enjten, të dhënat e bëra publike janë të dhëna kontakti, përfshirë emrat, mbiemrat dhe adresat postare të kompanive dhe individëve që kishin kryer transaksione me Maileva, ndërsa autoritetet përkatëse u njoftuan. Siç raportohet përmes Corriere della Sera, Maileva njoftoi CNIL-in, Komisionin Kombëtar Francez për Informatikën dhe Liritë Civile, si dhe ANSSI-n, Agjencinë Kombëtare Franceze për Sigurinë e Sistemeve të Informacionit.

Maileva specializohet në dixhitalizimin e proceseve të dokumenteve dhe dërgimin e korrespondencës; ajo është pjesë e Docaposte, e kontrolluar nga La Poste, dhe ka mbi 70.000 klientë, përfshirë AXA, EDF dhe La Banque Postale.

Kompania tha se të gjitha kompanitë e prekura u njoftuan në përputhje me rregulloret në fuqi dhe theksoi se asnjë e dhënë tjetër e klientëve nuk u prek, përfshirë të dhënat bankare, të dhënat postare dhe fjalëkalimet.

Ky nuk është sulmi i parë kibernetik ndaj grupit postar francez: në vitin 2025, pak ditë para Krishtlindjeve, hakerë pro-rusë morën përgjegjësinë për një sulm që pengoi gjurmimin e pakove dhe funksionimin e shërbimeve postare franceze.

Lini një koment