83 sulme hakerash në Evropë që nga shtatori, raporti i lidh shumicën me Rusinë
Që nga 23 shtatori, në Evropë janë regjistruar 83 operacione sabotimi, spiunazhi dhe destabilizimi, siç njofton Shqiptarja.com, duke iu referuar numërimit të gazetës franceze në internet Le Grand Continent. Në më pak se dy muaj, sulmet kanë prekur 13 vende dhe kanë ndërprerë seriozisht shërbimet në pesë prej tyre, ndërsa nëntë nga dhjetë raste kanë pasur si shënjestër infrastrukturën kritike. Shënjestrat e preferuara kanë qenë transporti ajror, posta dhe aeroportet.
Sipas të njëjtit numërim, që nga fillimi i vitit janë regjistruar gati 100 incidente, 83 prej të cilave lidhen me Rusinë. Rasti më i fundit në Francë, që daton në shtator dhe u zbulua të shtunën, më 14 nëntor, është ai i Mailevës, degës së postës kombëtare, e cila raportoi vjedhjen e të dhënave të 22 milionë klientëve.
Në Itali njihen tri raste të tilla. Më 18 tetor u regjistruan kërcënime për shpërthimin e 30 aeroporteve evropiane, pesë prej tyre italiane, ndërsa më 19-20 shtator u bllokua sistemi i bagazheve dhe mbërritjet e nisjet në aeroportet e Londrës, Brukselit dhe Berlinit. Më 3 tetor, një sulm kibernetik bllokoi nisjet dhe sistemin e kontrollit të trafikut ajror në Romë, Milano dhe Venecia.
Corriere della Sera, me autor Giuseppe Sarcina, siç njofton Shqiptarja.com, shkruan se pretendimet dhe kërcënimet e Moskës janë shumë të vështira për t’u provuar. Shumë operacione duket se janë kryer nga jashtë Rusisë, kryesisht nga vendet baltike dhe ato të Lindjes së Mesme, ndërsa zyrtarë të Bashkimit Evropian dhe shërbime të inteligjencës thonë se kjo ndodh “me bekimin e Kremlinit”. Sulmues të dyshuar janë gjetur që nga viti 2023 në Mbretërinë e Bashkuar, Francë, Gjermani, Itali, Çeki dhe Austri.
Shënjestrat përqendrohen te infrastruktura jetike, si centralet, rrjetet e energjisë elektrike, uji dhe kabllot nënujore, me një zhvendosje të fundit drejt dronëve, bazave ushtarake dhe aktiviteteve ekonomike e sociale më të cenueshme. Vendet e krahut lindor, nga Finlanda në Greqi, i quajnë këto sulme luftë hibride ruse, ndërsa Franca, Gjermania dhe Italia po veprojnë me kujdes, pikërisht sepse provat janë të vështira për t’u siguruar.