Kaosi në trafikun ajror në SHBA vazhdon, anulohen mbi 16,000 fluturime, mijëra pasagjerë në pritje
Ndërprerjet në trafikun ajror në Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhduan edhe sot, pas një mosfunksionimi të madh në sistemin e kontrollit të trafikut ajror. Të paktën 910 fluturime janë anuluar sot dhe numri është ende në rritje, sipas të dhënave nga platforma FlightAware.
Problemet filluan të premten, kur Administrata Federale e Aviacionit (FAA) urdhëroi pezullimin e ngritjeve në aeroportet në të gjithë vendin për shkak të një mosfunksionimi teknik. Ndalimi zgjati për më shumë se katër orë dhe pasojat vazhduan gjatë fundjavës. Më shumë se 9,000 fluturime u anuluan të premten, ndërsa të shtunën numri i anulimeve tejkaloi 6,400 , raporton ABC.
Sekretari i Transportit i SHBA-së, Sean Duffy, deklaroi se problemi nuk ishte shkaktuar nga një sulm kibernetik, por nga një gabim teknik gjatë zëvendësimit të kabllove të vjetëruara të bakrit me fibra optike. Puna u krye nga kompania L3Harris, dhe pas instalimit të ruterit të ri pati një mbingarkesë të rrjetit, gjë që shkaktoi probleme në sistemet e komunikimit dhe të gjurmimit të avionëve. Një hetim duhet të përcaktojë nëse ishte një gabim instalimi apo pajisje me defekt.
Administratori i FAA-së, Brian Bedford, shprehu pritjet e tij që orari i fluturimeve të stabilizohet plotësisht deri në fund të javës, të dielën sipas orës lokale. Ai deklaroi se nuk ka prova të aktivitetit keqdashës ose të incidentit që lidhet me inteligjencën artificiale.
Ndërkohë, Guvernatorja e Nju Jorkut, Kathy Hochul, kërkoi dorëheqjen e Sekretarit të Transportit Sean Duffy ose shkarkimin e tij nga Presidenti Donald Trump. Ajo gjithashtu i bëri thirrje Kongresit të kryejë një hetim, duke thënë se problemet e përsëritura të komunikimit dhe mungesa e kontrollorëve të fluturimit tregojnë të meta serioze në sistemin e aviacionit amerikan.