E diel, 15 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Arte›Ansambli folklorik bullgar “Carevo” prezantoi traditat muzikore dhe vallet tradicionale bullgare në Tiranë

Ansambli folklorik bullgar “Carevo” prezantoi traditat muzikore dhe vallet tradicionale bullgare në Tiranë

Ansambli Folklorik “Carevo” nga Bullgaria prezantoi dje në Tiranë një program artistik me këngë, muzikë dhe valle tradicionale bullgare.

Koncerti u zhvillua në Qendrën Kulturore të Katedrales Ortodokse në Tiranë dhe u organizua nga Ambasada e Republikës së Bullgarisë në Shqipëri, me rastin e Ditës së Iluministëve të Popullit – një festë e rëndësishme kushtuar figurave që kontribuuan në zhvillimin e arsimit, kulturës dhe ndërgjegjes kombëtare bullgare.

Programi përfshiu interpretime nga shtatë rajonet folklorike të Bullgarisë, duke sjellë para publikut larminë e traditave muzikore dhe koreografike të vendit. Përmes këngëve tradicionale shumëzërëshe, valleve karakteristike dhe kostumeve autentike popullore, ansambli prezantoi pasurinë dhe veçoritë e trashëgimisë kulturore bullgare.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Ambasadori i Bullgarisë falënderoi artistët e Ansamblit “Carevo”, të cilët përshkuan 1 000 kilometra për të ndarë me publikun në Tiranë pasurinë e folklorit bullgar. Ai theksoi rëndësinë e veprimtarive kulturore në afrimin e popullit bullgar dhe atij shqiptar, si dhe në forcimin e miqësisë dhe mirëkuptimit ndërmjet dy vendeve.

Aktiviteti u realizua me mbështetjen e Shoqatës “Bullgarët e Shqipërisë” dhe në bashkëpunim me Qendrën Kulturore “Georgi Kondollov – 1914” nga qyteti i Carevos. Të pranishëm ishin përfaqësuesit e trupit diplomatik, institucioneve shqiptare dhe shumë miq të Bullgarisë.

Lini një koment