Rekord që nga viti 2020, gati 1.500 migrantë mbërrijnë në Ishujt Kanarie brenda një dite
Gati 1.500 migrantë mbërritën të shtunën në Ishujt Kanarie të Spanjës, numri më i lartë i mbërritjeve brenda një dite të vetme që nga viti 2020, siç njofton Reuters, duke cituar agjencinë spanjolle të lajmeve EFE dhe shërbimin e shpëtimit detar.
Sipas të dhënave të shërbimit të shpëtimit, roja bregdetare spanjolle shpëtoi gjithsej 1.488 persona që ndodheshin në 14 varka, duke vijuar valën e mbërritjeve nga vendet e Afrikës Perëndimore drejt arkipelagut spanjoll, e cila ka nisur që në tetor. Rekordi i mëparshëm ditor ishte 1.461 persona të shpëtuar në ujërat pranë Ishujve Kanarie më 7 nëntor 2020.
Dymbëdhjetë nga varkat mbërritën në El Hierro, njëra në Gran Canaria dhe një tjetër në Tenerife. Vetëm njëra prej varkave të së shtunës mbante 240 persona, mes tyre 12 gra dhe 36 fëmijë, dhe të shpëtuarit u dërguan në El Hierro, një nga ishujt më të vegjël të arkipelagut. Shumica e personave vinin nga Senegali, Gambia dhe Guinea Conakry.
Rritja e ndjeshme e mbërritjeve gjatë muajit të kaluar ka shtuar presionin mbi shërbimet e pritjes dhe të emergjencës në disa ishuj, sidomos në ata më të vegjël dhe më pak të populluar, ndonëse në total mbërritjet nga janari deri më 31 tetor janë 5,5 për qind më të ulëta se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas të dhënave të qeverisë. Ministri spanjoll i Politikës Territoriale, Ángel Víctor Torres, do të vizitojë sot El Hierron për të diskutuar rritjen e mbërritjeve.
Rruga atlantike nga Afrika Perëndimore drejt Ishujve Kanarie është një nga kalimet detare më vdekjeprurëse në botë për migrantët: mijëra persona e ndërmarrin çdo vit udhëtimin me varka të mbingarkuara, pavarësisht detit të trazuar, rrymave të forta dhe distancave të gjata. Mbërritjet zakonisht shtohen në muajt e vjeshtës, kur kushtet e detit përgjatë rrugës janë më të qeta.