Protesta/ Tre të arrestuar e 18 nën hetim! 44 gjoba për shkelësit, dy prej tyre me nga 500 mijë lekë
Tre persona janë arrestuar ndërsa 18 të tjerë janë vënë nën hetim nga Policia e Tiranës, të akuzuar për kryerjen e veprimeve të kundërligjshme gjatë protestës së zhvilluar dje në Tiranë.
Gjithashtu, Policia nënshkruar 44 gjoba, dy prej të cilave në vlerën 500 mijë lekë (të reja) e 42 të tjera nga 5 mijë lekë (të reja).
Njëri prej të arrestuarve, është një i mitur 15 vjeç, i akuzuar për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Prishja e rendit dhe e qetësisë publike”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Mosbindja ndaj urdhrave të punonjësit të rendit publik”.
Ndryshe nga të shtunat e tjera, numri i pjesëmarrësve në protestë ka qenë më i ulët. Disa protestues i vunë flakën koshave të mbeturinave përpara Ministrisë së Arsimit, bllokuan qarkullimin te Zogu i Zi e te 21 Dhjetori ndërsa u tentua dhe thyerja e derës së Kryesisë së Kuvendit.
Protestat kanë nisur që prej 13 tetorit fillimisht nga studentët që kërkonin kushte më të mira arsimore e dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, e më pas dhe nga qytetarët. Javët e para kanë qenë mjaft intensive sa i përket episodeve të dhunës, djegies e goditjes së institucioneve qeveritare, si dhe përplasjeve të forta me efektivët e policisë.
Nisur nga këto zhvillime, qeveria hartoi një plan masash për ndëshkimin e pjesëmarrësve në tubime të dhunshme. Së fundmi, vetëm grupe të vogla qytetarësh mblidhen përpara kryeministrisë me thirrje kundër qeverisë. Paralelisht, në protestë u angazhua dha Partia Demokratike duke e konsideruar organizimin në mbështetje të studentëve.