E premte, 15 Maj 2026
54°F Detroit
BallinaKronikaYpsilanti nis program të ri pa polici për emergjencat e shëndetit mendor

Ypsilanti nis program të ri pa polici për emergjencat e shëndetit mendor

Qyteti i Ypsilanti miratoi gati 1 milion dollarë financim për krijimin e një ekipi të paarmatosur që do t’u përgjigjet krizave të shëndetit mendor, abuzimit me substancat dhe emergjencave të tjera sociale.

Ypsilanti po ndërmerr një qasje të re ndaj emergjencave të shëndetit mendor, duke krijuar një program ku specialistë të trajnuar – dhe jo vetëm policia – do t’u përgjigjen thirrjeve për ndihmë.

Këshilli Bashkiak i qytetit miratoi të martën, më 5 maj, afro 1 milion dollarë financim për ngritjen e një ekipi komunitar të paarmatosur për reagim ndaj krizave.

Programi synon që në rastet që lidhen me probleme të shëndetit mendor, përdorim substancash apo emergjenca të tjera sociale dhe shëndetësore, në vendngjarje të dërgohen specialistë të trajnuar, në vend të policisë ose së bashku me të.

Amber Fellows, një prej anëtareve të këshillit bashkiak që propozoi rezolutën, e quajti vendimin një hap të rëndësishëm për qytetin.

“Kjo ishte diçka që pritej prej kohësh,” tha Fellows, duke shtuar se ideja fillimisht ishte prezantuar rreth një vit më parë.

Vendimi vjen disa muaj pas një situate dramatike në qytet, ku policia kaloi rreth 30 orë në përballje me një burrë të armatosur me shpatë. Ngjarja ndodhi pranë lagjes së banores Megan Foldenauer, e cila tha se situata tregoi nevojën për një lloj tjetër reagimi.

“Aty duheshin njerëz të tjerë,” tha Foldenauer. “Nuk u menaxhua aq mirë sa mund të ishte.”

Sipas saj dhe banorëve të tjerë të zonës, burri dukej se po kalonte një krizë të rëndë të shëndetit mendor.

Pas miratimit të rezolutës, këshilli bashkiak synon të ndërtojë një sistem të ri reagimi më human dhe më të fokusuar tek kujdesi komunitar.

Zyrtarët e qytetit thanë se po bashkëpunojnë me organizatën Law Enforcement Action Partnership për të vlerësuar mënyrën më të mirë të organizimit të programit.

Sipas deklaratës së administratës së qytetit, fondet për programin do të vijnë nga taksa e sigurisë publike e Washtenaw County, me përjashtim të shumave që tashmë janë caktuar për strehimin dhe shërbimet publike.

Drejtuesit e qytetit theksuan se duan që programi të ndërtohet në bashkëpunim me komunitetin dhe të reflektojë nevojat reale të banorëve të Ypsilanti.

Lini një koment