Qindra mijëra çekë priten në Pragë kundër reformës së medias publike, organizatorët: mund të jetë tubimi më i madh në historinë çeke
Qindra mijëra çekë priten të mblidhen këtë të diel në Pragë kundër planit të qeverisë për të ndryshuar mënyrën e financimit të medias publike, një reformë që kritikët e shohin si kërcënim për lirinë e shtypit, siç njofton AFP.
Qeveria e kryeministrit miliarder Andrej Babis do që Televizioni Çek dhe Radioja Çeke të mos financohen më nga tarifat e licencës që paguajnë shikuesit dhe dëgjuesit, por drejtpërdrejt nga buxheti i shtetit. Kundërshtarët thonë se kjo do t’i bëjë transmetuesit më të varur nga shteti dhe do ta mbytë lirinë e medias. Koalicioni i Babis — partia ANO, e djathta ekstreme SPD dhe Motoristët euroskeptikë — këmbëngul se plani nuk do të prekë pavarësinë editoriale apo përmbajtjen, por se transmetuesit duhet të ulin kostot.
Propozimi ka shkaktuar tashmë disa protesta të mëdha në rrugë që kur ministri i Kulturës, Oto Klempir, e paraqiti në prill. Mijëra njerëz protestuan muajin e kaluar pasi parlamenti e kaloi me nxitim projektligjin në një votim të diskutueshëm gjatë natës, në leximin e parë nga tre, ndërsa më 3 nëntor stafi i Televizionit dhe Radios Çeke bëri grevë njëditore dhe mijëra të tjerë, mes tyre studentë, marshuan në gjithë vendin.
Tubimin e së dielës në fushën e Letnas e organizon grupi Milion Momente për Demokracinë, i cili në secilën nga tri tubimet e mëparshme kundër Babis ka nxjerrë në rrugë rreth një çerek milioni njerëz. Udhëheqësi i grupit, Mikulas Minar, tha se protesta e së dielës mund të jetë “tubimi më i madh publik në historinë çeke”, pasi organizatorët presin 400 deri në 600 mijë pjesëmarrës. Reforma e propozuar do t’i shkurtonte buxhetet e televizionit dhe radios shtetërore me rreth 15 për qind.
Reforma ka tërhequr edhe vëmendje ndërkombëtare: Unioni Evropian i Transmetimeve, Federata Evropiane e Gazetarëve, Reporterët pa Kufij dhe Instituti Ndërkombëtar i Shtypit e kanë kritikuar atë, duke e akuzuar Babis se po ndjek shembullin e aleatëve të tij në vende të tjera, veçanërisht kryeministrin sllovak Robert Fico dhe ish-udhëheqësin hungarez Viktor Orban. Babis tha javën e kaluar se “askush nuk do ta kontrollojë median publike, aq më pak ta shtetëzojë atë” dhe se asgjë nga ato për të cilat protestohet nuk është e vërtetë.