Ballkani ka 20 vjet që pret integrimin në BE, i dërguari i Francës: Nuk mund ta lëmë të presë më
Ballkani Perëndimor ka 20 vjet që pret integrimin në Bashkimin Europian, dhe vonesat e mëtejshme rrezikojnë besueshmërinë e perspektivës europiane të rajonit, siç njofton Shqiptarja.com. Këtë mesazh e ka dhënë i dërguari i posaçëm i Francës për Ballkanin Perëndimor, René Trocaz, në një intervistë për “European Western Balkans”.
Sipas Trocaz, procesi i zgjerimit ka qenë i ndërlikuar dhe i ngadaltë, dhe Bashkimi Europian mban përgjegjësi për vonesën e krijuar ndër vite. Ai theksoi se rajoni nuk mund të mbahet në pritje pafundësisht, sepse kjo do të vinte në pikëpyetje premtimin europian ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Ne e kemi vonuar shumë procesin e zgjerimit dhe sot mbajmë përgjegjësi për këtë vonesë… ne nuk mund ta mbajmë Ballkanin Perëndimor në pritje pafundësisht, sepse kjo do të rrezikonte besueshmërinë e perspektivës europiane”, deklaroi Trocaz.
Franca, sipas tij, po punon për ta mbajtur gjallë perspektivën e anëtarësimit dhe për të mbështetur reformat në rajon, me luftën kundër korrupsionit në qendër të vëmendjes. “Lufta kundër korrupsionit është gjithçka dhe duhet të jetë e përhershme”, u shpreh i dërguari francez, duke nënvizuar se ajo nuk duhet të jetë vetëm një fazë e fushatës zgjedhore.
Trocaz u ndal edhe te zgjedhjet në Serbi, duke shpresuar se ato do të jenë të lira dhe të ndershme, me rëndësi vendimtare për stabilitetin e brishtë të rajonit. Ai theksoi gjithashtu mbështetjen e Parisit për dialogun Kosovë–Serbi dhe normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Në fund, i dërguari francez theksoi se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të përmbushin reformat dhe të tregojnë angazhim të qartë ndaj vlerave europiane, ndërsa Franca do të vazhdojë të luajë një rol aktiv në mbështetje të zgjerimit.