“Flamurtari për kampion, të mos fshihet pas arbitrimit”, ish-trajneri Mezani gjykon ankesat
Gentjan Mezani kërkon që Flamurtari të mos fshihet pas arbitrit dhe të fokusohet te fusha. Ish-trajneri i kuqezinjve beson se skuadra e ka kualitetin për të luftuar për vendin e parë.
“Flamurtari duhet të kapet me atë që është shumë e thjeshtë, që të mos ankohet për arbitrat, por të fokusohet te fusha. Edhe ndeshja e fundit ndaj Korabit, në Peshkopi, është ndoshta një nga ato ndeshje të rralla ku nuk gaboi arbitri, por u mungoi vëmendja dhe përqendrimi te lojtarët e sulmit. Unë e mendoj se Flamurtari është edhe më lart me pikë, por u mungon vëmendja, sepse për aq sa prodhuan mund të fitonin, por nëse nuk e fokuson vëmendjen te fusha, nuk ke pse kërkon të tjerat jashtë saj.
Ndeshja është dominuar nga Flamurtari, madje mund të ketë prodhuar për të shënuar gola. Në futboll duhet të shënosh dhe kjo nuk u bë nga sulmuesit vlonjatë.
Por nëse Flamurtari prodhon të shënojë në çdo ndeshje nga 4-5 gola të pastër, atëherë nuk ka pse të kërkojë te gabimet e arbitrit”, shprehet fillimisht Mezani.
PËR ARBITRAT-
Edhe pse kërkon që kuqezinjtë të mos fshihen pas arbitrimit, Mezani nuk i kursen rezervat për gjykimin.
“Unë mendoj që jam një nga trajnerët që kam folur pak për arbitrimet. Për këtë ndeshje të fundit nuk kam parë rast të diskutueshëm te Flamurtari. Kjo ishte një ndër ndeshjet e rralla në Kategorinë e Parë, ku arbitri arbitroi si duhet. Por ka ndeshje të tjera ku Flamurtarit, ashtu si shumë ekipeve, iu janë mohuar penallti, faulle dhe gola të rregullta. Edhe këtë gjë duhet ta pranojmë.
Këtu që nëse unë do të thosha që arbitrat nuk ndikojnë, jam shumë i gabuar. Por më shumë duhet të bëjnë lojtarët në fushë dhe pastaj të pretendojnë për arbitrimin.
PËR TIFOZËT DHE VAZHDIMËSINË –
Gentjan Mezani ndalet edhe te pakënaqësitë e tifozerisë vlonjate dhe thekson se skuadra nuk duhet të devijojë nga objektivi. “Tifozët në Vlorë kanë të drejtë të kërkojnë të fitojnë në çdo ndeshje, sepse Flamurtari është një emër i madh. Por ekipi duhet të qëndrojë i qetë, të mos bie në panik dhe të mbajë vëmendjen te puna dhe zhvillimi i ekipit.
Flamurtari e ka forcën, skuadrën dhe tifozët për të luftuar për vendin e parë. Gjithçka mbetet te përqendrimi dhe mënyra se si menaxhohet çdo ndeshje”, përfundon Mezani.