MANILA – Presidenti i Koresë së Jugut mbërrin në Filipine për samitin e ASEAN-it
– Presidenti i Koresë së Jugut, Lee Jae-myung, mbërriti të hënën në Manila, për të marrë pjesë në samitin e Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN), duke nisur një vizitë katërditore që do ta çojë më pas në Shenzhen të Kinës, për samitin e Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), raportoi “Yonhap”.
Gjatë samitit të ASEAN-it, që nis sot në Manila, presidenti koreano-jugor do të marrë pjesë në takimin Kore e Jugut–ASEAN, ku do të diskutohet për forcimin e bashkëpunimit me vendet e rajonit. Më pas, ai do të zhvillojë një takim me udhëheqësit e pesë vendeve të rajonit të Mekongut: Kamboxhia, Laosi, Mianmari, Tajlanda dhe Vietnami.
Lee do të marrë pjesë neser në samitin “ASEAN Plus Three”, ku do të jenë të pranishëm udhëheqësit e vendeve anëtare të ASEAN-it, Koresë së Jugut, Kinës dhe Japonisë. Në agjendë është gjithashtu Samiti i Azisë Lindore, ku marrin pjesë 16 vende të rajonit.
Të mërkurën dhe të enjten, presidenti koreano-jugor do të marrë pjesë në samitin e APEC-ut në Shenzhen, i cili do të përfshijë një takim të drejtuesve të kompanive, një darkë zyrtare të organizuar nga presidenti kinez Xi Jinping dhe bashkëshortja e tij, si dhe takimin kryesor të nivelit të lartë, me temën “Ndërtimi i një komuniteti të begatë të Azi-Paqësorit përmes hapjes, inovacionit dhe bashkëpunimit”.
Në kuadër të samiteve, Lee pritet të zhvillojë edhe takime dypalëshe me udhëheqës të vendeve pjesëmarrëse, përfshirë kryeministrin tajlandez Anutin Charnvirakul dhe presidentin e Filipineve, Ferdinand Romualdez Marcos Jr., të dy sot pasdite.
Gjatë këtyre takimeve rajonale, Lee synon të forcojë besimin e ndërsjellë dhe bashkëpunimin me krerët e shteteve të tjera, duke theksuar kontributin e Koresë së Jugut në përballimin e sfidave të përbashkëta, përfshirë sigurinë e furnizimit me energji, krimin ndërkufitar dhe sigurinë ushqimore.
Presidenti synon gjithashtu t’u kërkojë vendeve anëtare të ASEAN-it dhe APEC-ut të mbështesin politikën e Seulit, për bashkëjetesë paqësore me Korenë e Veriut dhe të përcjellë një mesazh pozitiv në mbështetje të paqes dhe sigurisë në Gadishullin Korean.
Përpara mbërritjes në Manila, Lee u zotua të forcojë lidhjet me vendet anëtare të ASEAN-it dhe të marrë një rol më aktiv në promovimin e stabilitetit në rajon.
“Koreja po punon gjithashtu për të çuar më tej integrimin ekonomik rajonal, në interes të rritjes dhe inovacionit të ardhshëm të ASEAN-it”, deklaroi presidenti në një intervistë për gazetën filipinase “The Philippine Star”.
Lee përmendi negociatat për përmirësimin e marrëveshjes së tregtisë së lirë ndërmjet Koresë së Jugut dhe bllokut rajonal, duke shtuar se synimi është përfshirja e rregullave të reja tregtare në këtë marrëveshje.
Ai theksoi gjithashtu se synon të zgjerojë partneritetin me Filipinet përtej infrastrukturës dhe industrisë përpunuese, duke përfshirë fusha të reja si inteligjenca artificiale, hapësira, energjia bërthamore dhe mineralet kritike.
Industria e mbrojtjes u përmend gjithashtu si një sektor me potencial për zgjerimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.
“Sfera e bashkëpunimit mund të zgjerohet përtej furnizimit me sisteme armësh, duke përfshirë bashkëpunimin teknologjik, prodhimin e përbashkët, mirëmbajtjen dhe riparimin, si dhe trajnimin e specialistëve”, u shpreh presidenti koreano-jugor. /