Ndotja akustike rrit vdekshmërinë e kafshëve deri në 138%, zbulon një studim i ri
BELFAST, 16 nëntor, ATSH/ Ndotja akustike e shkaktuar nga aktiviteti njerëzor po përbën një kërcënim serioz për jetën e egër, duke rritur vdekshmërinë e kafshëve deri në 138%, sipas një studimi të publikuar në revistën shkencore Science.
Hulumtimi, i realizuar nga studiues të Queen’s University Belfast, analizoi 214 studime eksperimentale që përfshinin 177 specie ujore dhe tokësore në gjashtë kontinente.
Rezultatet tregojnë se zhurmat e krijuara nga trafiku, aktivitetet industriale dhe mjediset urbane ndikojnë në fiziologjinë, zhvillimin dhe sjelljen e rreth 80% të specieve të analizuara.
Përveç rritjes së vdekshmërisë, ndotja akustike ndikon në aftësinë e kafshëve për të gjetur ushqim, për t’u mbrojtur nga grabitqarët dhe për të komunikuar. Studiuesit konstatojnë gjithashtu se zhurma prish ekuilibrin e marrëdhënieve mes grabitqarëve dhe presë.
Sipas autorëve, mbrojtja e biodiversitetit duhet të përfshijë jo vetëm ruajtjen e habitateve natyrore, por edhe mbrojtjen e mjediseve të qeta, përmes krijimit të zonave me nivele të ulëta zhurme.