E hënë, 16 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›BRUKSEL – Albares: Asnjë vendim për Ukrainën dhe sigurinë evropiane nuk mund të merret pa praninë e Spanjës

BRUKSEL – Albares: Asnjë vendim për Ukrainën dhe sigurinë evropiane nuk mund të merret pa praninë e Spanjës

BRUKSEL, 16 nëntor /ATSH-ANSA/- Spanja kërkon të përfshihet në diskutimet dhe vendimmarrjen për të ardhmen e Ukrainës dhe sigurinë evropiane, duke theksuar se asnjë marrëveshje apo vendim për këto çështje nuk duhet të merret pa pjesëmarrjen e saj.

Këtë qëndrim e shprehu ministri i Jashtëm spanjoll, José Manuel Albares, i cili kërkoi gjithashtu që në proces të përfshihen edhe ministrat e Jashtëm të vendeve evropiane, si dhe përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë.

Sipas Albares, deri tani është vendosur që diskutimet të zhvillohen në nivelin e këshilltarëve për sigurinë kombëtare, ndërsa ministrat e Jashtëm nuk janë përfshirë në këtë format.

“Është vendosur një format në nivelin e këshilltarëve për sigurinë kombëtare. Ne, ministrat e Jashtëm, nuk jemi përfshirë dhe mendoj se herët a vonë do të duhet të përfshihemi”, deklaroi ai.

Ministri spanjoll vuri në dukje se në këtë proces mungojnë edhe disa aktorë të rëndësishëm institucionalë.

Sipas tij, përfaqësuesja e lartë e BE-së, e cila përfaqëson qëndrimin e Evropës në politikën e jashtme, duhet të jetë pa diskutim pjesë e diskutimeve.

Albares theksoi veçanërisht rëndësinë e përfshirjes së Spanjës, duke nënvizuar se çështjet që lidhen me sigurinë e Evropës dhe të ardhmen e Ukrainës, nuk mund të diskutohen dhe vendosen pa praninë e Madridit në tryezën e bisedimeve.

“Për Spanjën, një gjë duhet të jetë e qartë për të gjithë: nuk do të vendoset asgjë për sigurinë evropiane dhe asgjë që lidhet me Evropën dhe Ukrainën, pa qenë Spanja e ulur në atë tryezë”, deklaroi ministri i Jashtëm spanjoll. /

Lini një koment