E hënë, 16 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›BRUKSEL – BE-ja miraton sanksione të reja ndaj Rusisë, në shënjestër dezinformimi dhe grupi i hakerëve

BRUKSEL – BE-ja miraton sanksione të reja ndaj Rusisë, në shënjestër dezinformimi dhe grupi i hakerëve

BRUKSEL, 16 nëntor /ATSH-ANSA/- Këshilli i Bashkimit Evropian ka miratuar sot sanksione të reja ndaj 30 individëve dhe dy subjekteve ruse, të cilët akuzohen për përfshirje në manipulimin e informacionit, përhapjen e dezinformimit dhe ndërhyrjet në vendet e huaja përmes aktiviteteve të paligjshme informatike.

Në listën e re të personave dhe subjekteve që do t’u nënshtrohen masave kufizuese të BE-së janë përfshirë, agjencia “Social Design Agency” – SDA, një kompani që drejtohet nga administrata presidenciale ruse, si dhe grupi i hakerëve NoName057(16).

Sanksionet prekin gjithashtu blogerë dhe personazhe televizive që veprojnë në Rusi dhe që, sipas vendimit të BE-së, janë të përfshirë në veprimtari, që lidhen me manipulimin e informacionit dhe ndikimin në opinionin publik.

“Social Design Agency” është një kompani e lidhur me strukturat shtetërore ruse, e cila është vënë në shënjestër për rolin e saj në operacionet e manipulimit të informacionit.

Këto operacione synojnë përhapjen e narrativave të caktuara dhe ndikimin në perceptimin e publikut, veçanërisht jashtë Rusisë.

Ndërkohë, grupi NoName057(16) është një grup hakerësh i njohur për sulmet informatike, përfshirë sulmet e tipit DDoS, të cilat synojnë të mbingarkojnë faqet e internetit dhe sistemet kompjuterike, duke i bërë përkohësisht të paarritshme për përdoruesit.

Masat e reja janë pjesë e një pakete më të gjerë sanksionesh të Bashkimit Evropian, që përfshin gjithsej 12 individë dhe 101 subjekte për rolin e tyre në sektorë ekonomikë, që konsiderohen të rëndësishëm për mbështetjen e luftës së Rusisë në Ukrainë.

Në mesin e subjekteve të prekura nga kjo paketë janë edhe afro 50 banka dhe institucione financiare. /

Lini një koment