E hënë, 16 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›VILNIUS – Lituania mirëpret kontingjentin e parë të ri të trupave amerikane

VILNIUS – Lituania mirëpret kontingjentin e parë të ri të trupave amerikane

VILNIUS, 16 nëntor /ATSH-DPA/ – Lituania ka mirëpritur zyrtarisht një kontingjent të ri ushtarak amerikan, në një zhvillim që synon forcimin e sigurisë në krahun lindor të NATO-s.

Dy batalione të Divizionit të Parë të Këmbësorisë së Ushtrisë Amerikane u pritën sot në poligonin ushtarak të stërvitjes në Pabradė.

Në ceremoninë zyrtare morën pjesë presidenti lituanez Gitanas Nausėda dhe ministri i Mbrojtjes, Robertas Kaunas, të cilët vlerësuan angazhimin e Shteteve të Bashkuara për sigurinë e vendit.

Të dy theksuan se prania e vazhdueshme e trupave amerikane përbën një sinjal të rëndësishëm parandalues ndaj kërcënimeve të mundshme ushtarake.

Rëndësia strategjike e këtij dislokimi lidhet edhe me pozicionin gjeografik të Lituanisë, e cila kufizohet me enklavën ruse të Kaliningradit dhe Bjellorusinë, aleaten kryesore të Moskës në rajon.

Shtetet e Bashkuara kanë dislokuar në mënyrë të alternuar njësi ushtarake në kufirin lindor të NATO-s për stërvitje dhe manovra që prej vitit 2014.

Megjithatë, e ardhmja e pranisë amerikane në Lituani kishte krijuar pasiguri, për shkak se Uashingtoni po rishikon vendosjen e forcave të tij ushtarake në Evropë.

Në këtë kontekst, ardhja e kontingjentit të ri shihet si një sinjal i rëndësishëm për vazhdimësinë e bashkëpunimit ushtarak mes dy vendeve.

Përveç forcave amerikane, edhe Gjermania planifikon të vendosë në mënyrë të përhershme një brigadë të blinduar të Bundeswehr-it në Lituani.

Presidenti Nausėda deklaroi se vendi është i gatshëm të presë edhe trupa të tjera amerikane në mënyrë të përhershme, duke ofruar infrastrukturën e nevojshme për këtë qëllim.

Qeveria lituaneze ka njoftuar gjithashtu një investim shtesë prej 55 milionë eurosh në infrastrukturën ushtarake të Pabradė deri në vitin 2030.

Sipas ministrit të Mbrojtjes, Robertas Kaunas, propozimet për krijimin e një baze të përhershme ushtarake amerikane në Lituani i janë paraqitur tashmë administratës në Uashington.

Ky zhvillim nënvizon rëndësinë në rritje të rajonit baltik për strategjinë e sigurisë së NATO-s, në një kohë kur tensionet me Rusinë dhe pasiguria mbi angazhimin afatgjatë amerikan në Evropë mbeten çështje kryesore për aleancën. /Ad.Ab./ a.jor.

Lini një koment