Gjykata Supreme refuzon apelin e administratës Trump për shkurtimet e granteve për diversitetin
Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara refuzoi të hënën të shqyrtojë apelin e administratës së presidentit Donald Trump kundër një vendimi gjyqësor që rrëzoi shkurtimet e rreth 59 milionë dollarëve grante federale për studiuesit e sistemit të Universitetit të Kalifornisë, siç njofton Reuters.
Vendimi i gjykatës së shkallës më të ulët i ruajti grantet, duke gjetur se shkurtimet me gjasë shkelën të drejtat e studiuesve sipas Amendamentit të Parë të Kushtetutës, që mbron lirinë e shprehjes. Grantet ishin pjesë e fushatës së gjerë të administratës kundër nismave të diversitetit, barazisë dhe përfshirjes (DEI).
Pas urdhrave ekzekutivë të janarit 2025 kundër DEI-t dhe “ideologjisë gjinore”, Fondacioni Kombëtar i Shkencës (NSF) dhe Fondacioni Kombëtar për Shkencat Humane (NEH) ndërprenë grantet. Studiuesit ngritën padi kolektive në vitin 2025, duke akuzuar administratën për diskriminim mbi bazën e pikëpamjeve.
Gjyqtarja Rita Lin ndaloi ndërprerjen e granteve, ndërsa Gjykata e Apelit e Qarkut të 9-të në San Francisko e la në fuqi atë pjesë të vendimit, çka e çoi çështjen në apel në Gjykatën Supreme. Asnjë nga nëntë gjyqtarët nuk shënoi publikisht mospajtim me refuzimin e apelit.
Avokati i paditësve, Erwin Chemerinsky, tha se veprimi i Gjykatës Supreme do të thotë se vendimi kundër administratës mbetet në fuqi dhe se grantet e ndërprera mbi bazën e pikëpamjes së perceptuar të kërkimit duhet të vazhdojnë të rivendosen.