Dy të rinj nga Rahoveci humbin jetën në një aksident të rëndë në Gjermani, tre të vdekur në përplasjen zinxhirore
Tre persona kanë humbur jetën në një aksident të rëndë trafiku që ndodhi të dielën pasdite në Gjermani, ndërsa dy nga viktimat janë të rinj nga Kosova, përkatësisht nga komuna e Rahovecit — Leart Morina dhe Berhan Zeka, raporton Telegrafi.
Aksidenti ndodhi në rrugën B311, në afërsi të qytetit Erbach, në distriktin Alb-Donau, ku u përfshinë gjithsej nëntë automjete. Sipas njoftimit të policisë gjermane, në vendngjarje vdiqën një shofer 18-vjeçar dhe një shofer 19-vjeçar, ndërsa një pasagjer 26-vjeçar, i lënduar rëndë, ndërroi jetë të dielën në mbrëmje në spital. Një pasagjere tjetër 26-vjeçare mbeti e lënduar, kurse dy persona të tjerë pësuan lëndime të lehta.
Sipas hetimeve fillestare, dyshohet se shoferi 18-vjeçar ka humbur kontrollin e automjetit derisa po kryente një parakalim me shpejtësi të lartë, në segmentin rrugor ndërmjet Dellmensingen dhe Donaurieden. Automjeti i tij u përplas fillimisht me disa vetura të tjera, e më pas ballë për ballë me një makinë që po qarkullonte në drejtim të kundërt.
Në vendngjarje kanë intervenuar ekipe të shumta emergjente, ndërsa është angazhuar edhe një ekspert për të përcaktuar shkakun e saktë dhe rrjedhën e aksidentit. Policia gjermane ka bërë të ditur se hetimet janë duke vazhduar dhe dëshmitarët po merren në pyetje; rruga B311, në segmentin ndërmjet Dellmensingen dhe Donaurieden, mbeti e mbyllur për qarkullim edhe të hënën për shkak të pastrimit të vendit të aksidentit.