E hënë, 16 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›Drafti i parë i marrëveshjes së COP31 nxjerr në pah përplasjen për karburantet fosile

Drafti i parë i marrëveshjes së COP31 nxjerr në pah përplasjen për karburantet fosile

Negociatorët në bisedimet e COP31 në Turqi publikuan të hënën një tekst draft-marrëveshjeje për të nxitur debatin dhe për të ngushtuar hendekun mes vendeve për karburantet fosile dhe financimin klimatik, përpara afatit të fundjavës për një marrëveshje përfundimtare, siç njofton Reuters.

Bisedimet vjetore të OKB-së për klimën, që këtë vit mbahen në qytetin mesdhetar Antalia dhe nisën më 9 nëntor, kërkojnë konsensus nga gati 200 vende për të ardhmen e karburanteve fosile, financimin për vendet në zhvillim dhe mënyrën e reagimit ndaj paralajmërimeve shkencore për rritjen e temperaturave globale. Një raport i OKB-së muajin e kaluar tha se bota tashmë është në rrugë për ta tejkaluar pragun e ngrohjes prej 1.5 gradësh Celsius.

Chris Bowen i Australisë, i cili udhëheq negociatat në kuadër të një presidencë të ndarë me Turqinë, tha se drafti prej 18 faqesh përmban klauzola që disa vende i kanë refuzuar tashmë. “Sinqerisht, nëse flasim vetëm për atë për të cilën biem të gjithë dakord, në këtë fazë kaq të hershme të procesit dokumenti do të ishte shumë i shkurtër”, tha Bowen në një konferencë për shtyp.

Drafti përmban dy formulime për karburantet fosile, burimi kryesor i emetimeve të gazeve serrë: njëri përsërit formulimin e rënë dakord në vitin 2023 për “largimin gradual” nga përdorimi i tyre, ndërsa tjetri, më ambicioz, flet për “heqjen e tyre përfundimtare”. Të dy formulimet mund të hiqen nga marrëveshja përfundimtare. Drafti shënon gjithashtu mendime të ndryshme për objektivin e Turqisë për ta çuar pjesën e energjisë elektrike në konsumin global të energjisë në 35% deri në vitin 2035 dhe për shumën që vendet e pasura duhet të japin për t’i ndihmuar vendet më të varfra të përshtaten me ndryshimet klimatike.

Afati zyrtar për marrëveshjen është e premtja, por konferencat e mëparshme e kanë tejkaluar rregullisht afatin, ndonjëherë me ditë. Jashtë negociatave, Turqia, vendi pritës i COP31, nisi një zotim për inteligjencën artificiale, të cilin deri tani e kanë nënshkruar vetëm nëntë nga gati 200 vendet e përfaqësuara në bisedime.

Lini një koment