“Rama është edhe dielli, edhe rrufeja në PS”/ Lami: Asambleja tregoi kush vendos për fatin e gjithsecilit…
Analisti Roland Lami, i ftuar në emisionin “Real Story”, komentoi punimet e Asamblesë së Partisë Socialiste dhe vendimet e marra gjatë javës së kaluar.
Lami u shpreh se Asambleja konfirmoi edhe një herë se demokracia e brendshme në partitë politike shqiptare ka “vdekur”.
Sipas tij, zhvillimet në Asamble treguan se karriera politike e individëve brenda Partisë Socialiste varet drejtpërdrejt nga mbështetja e Ramës, i cili mund të përcaktojë si ngritjen, ashtu edhe largimin e tyre nga pozicionet drejtuese.
Duke iu referuar dy emrave të PS-së si Erion Veliaj dhe Elisa Spiropali, Lami theksoi se largimi i njërit nga drejtimi politik dhe dalja e tjetrës jashtë strukturave të partisë nuk kaluan pa mesazhe politike.
Në përfundim, analisti nënvizoi se pesha politike e Edi Ramës është më e madhe se shuma e ndikimit të të gjithë anëtarëve të pranishëm në sallën ku u mbajt Asambleja.
“Nga pikëpamja e demokracisë së brendshme, asambleja konfirmoi një tezë që ne kemi vite që e themi që demokracia e brendshme te partitë politike shqiptare ka vdekur, Por futur në intrigën e brendshme të PS, kishte lajm. Lajmi është ky që “ajo çfarë lë të kuptohet ata që janë brenda PS u ritheksuar edhe njëherë se ‘dielli’ e ‘rrufeja’ lidhem me z. Rama”. Është ai që të përkëdhel dhe është ai që të zhyt në kuptimin e karrierës politike.
Mos harrojmë se kemi të bëjmë për dy figura ndër kryesore që duhet të ishin në PS, do të kishim mbështetës dhe të kalonte jo pa lajm vendimmarrja që njëri të mos ishte më drejtues politik, flasim për kryetarin e bashkisë dhe tjetra që ka qenë kryetare parlamenti, është jashtë strukturave të partisë.
Fakti që aty nuk lëviz dot asgjë, është se të dy individët janë të katapultuar, të mbështetur, të pompuar nga Rama me gjithë avantazhet që mund t’i kenë sjellë, por edhe me kostot që i mban z Rama për zgjedhjet që bën. Kjo ishte e reja e kuptuar dhe nënkuptuar qartazi nga kjo asamble. Forca e tij është më e madhe se shumatorja e atyre që ishin në atë sallë”, tha ai.