Kosova U21 pëson humbje nga Luksemburgu në miqësoren në Prishtinë
Kombëtarja e Kosovës U21 ka pësuar humbje në ndeshjen miqësore ndaj Luksemburgut, e zhvilluar të hënën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Siç njofton Telegrafi, takimi u mbyll me rezultat 0-2 në të mirë të mysafirëve.
Luksemburgu kaloi në epërsi shumë herët, që në minutën e gjashtë, kur Mick Kirsch shënoi golin e parë të ndeshjes.
“Dardanët” e rinj patën mundësinë të barazonin në pjesën e parë, por goli i Eliot Bujupit në minutën e 25-të u anulua për shkak të pozitës jashtë loje.
Rezultati u vulos në pjesën e dytë, kur sulmuesi shqiptar Flavjo Hoxha, i cili aktivizohet për grupmoshat e reja të Luksemburgut, shënoi në minutën e 65-të golin e dytë për mysafirët.
Kjo miqësore vjen pasi Kosova U21 e kishte mbyllur në tetor ciklin kualifikues për Kampionatin Evropian të vitit të ardhshëm, që do të organizohet në Shqipëri dhe Serbi, pa arritur të sigurojë kualifikimin. Të përzgjedhurit e Hekuran Kryeziut e mbyllën Grupin A në vendin e katërt me 15 pikë, pas katër fitoreve, tri barazimeve dhe tri humbjeve.