E hënë, 16 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Nga Tiranë–Durrësi te bypass-i i Elbasanit, Karakaçi zbulon projektet e mëdha rrugore: Ja akset që do të financohen

Nga Tiranë–Durrësi te bypass-i i Elbasanit, Karakaçi zbulon projektet e mëdha rrugore: Ja akset që do të financohen

Ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Enea Karakaçi, i ftuar në “Sheshi i Dollarit”, tha se në buxheti është parashikuar financimi i plotë i zgjerimit të superstradës Tiranë-Durrës deri në Urën e Dajlanit, si dhe ndërtimi i bypass-it të Elbasanit me financim nga buxheti i shtetit.

Ai njoftoi gjithashtu se brenda vitit 2027 do të financohet segmenti Kombinat-Plepa, ndërsa në listën e investimeve janë përfshirë edhe akse të reja si Berat-Skrapar dhe hyrjet veriore e verilindore të Tiranës.

Sipas Karakaçit, këto investime synojnë përshpejtimin e punimeve infrastrukturore dhe lehtësimin e qarkullimit të trafikut.

“Pra në programin 2027–2029 ne kemi buxhetuar tërësisht zgjerimin e superstradës Tiranë–Durrës deri aty ku përfundon projekti, deri te Ura e Dajlanit, që i hap rrugë në këtë kuptim ARRSH që çdo vit të segmentojë apo të kontraktojë 6 km apo 7 km vijues dhe duke bërë dhe një përmirësim dhe një shfryerje të trafikut.

Bypass-i i Elbasanit fillon aty ku, le të themi, përfundon autostrada Tiranë–Elbasan dhe është ajo hinka që njerëzit me të drejtë kanë krijuar shqetësime dhe kanë patur sidomos vonesa në fundjavë, por edhe gjatë sezonit turistik. Edhe aty, siç e thashë, lajmi i mirë është që është vendosur tashmë që zhvillimi i bypass-it të Elbasanit të buxhetohet nga buxheti i shtetit apo të financohet nga buxheti i shtetit. Duke marrë në konsideratë faktin që tashmë ajo ishte bërë imediate si ndërhyrje, ne tashmë kemi kontraktuar dy kontratat e para për atë bypass, që fillojnë menjëherë ku përfundon autostrada Tiranë–Elbasan.

Segmenti Kombinat–Plepa, brenda vitit 2027 kemi financuar tërësisht edhe aty financimin e asaj rruge. Ne kemi ndërtuar tashmë aty 5 kilometrat e para, janë lidhur kontratat për 10 kilometra pasuese dhe ka filluar puna tashmë në terren. Ndërkohë 10 kilometrat e fundit që çojnë deri në Plepa janë të parashikuara për investim në vitin 2027 dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar menjëherë sapo të nisë viti do ketë edhe aty kontratat e lidhura. Pra gjithë ai segment të jetë i kontraktuar në mënyrë që të ecim me ritme më të shpejta.

Segmenti Berat–Skrapar, i cili nuk ka qenë më parë i parashikuar në buxhet dhe tashmë nis e shtuar në listën e investimeve. Kemi disa investime të rëndësishme që lidhen përsëri me qytetin e Tiranës: kemi hyrjen veriore të Tiranës që bypasson apo anashkalon qytetin e Kamzës, edhe ai është i parashikuar në buxhet; hyrja verilindore e Tiranës që bën lidhje ndërmjet Rrugës së Arbërit dhe hyrjes verilindore të Tiranës, edhe ai është i parashikuar në buxhet.”, tha ai.

Lini një koment