“Çfarë kam bërë kundër PS-së?” Ndreca flet për përjashtimin: S’jam njoftuar…
Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Plarent Ndreca, ishte i ftuar në studion e “Opinion” në një intervistë me gazetarin Blendi Fevziu, pasi së bashku me Elisa Spiropalin, u përjashtua nga çdo forum drejtues i PS me vendim të kryeministrit dhe kryesocialistit Edi Rama.
Ndreca thotë se përveç drejtimit të një zone elektorale në Tiranë, nuk ka pasur asnjë tjetër funksion në PS, nuk është njohur me arsyet e këtij vendimi dhe as nuk është njoftuar në rrugë zyrtare, por përmes mediave. Ish-deputeti thekson se statusin e anëtarit nuk ia heqin dot ndërsa vendimin e Ramës e cilëson “akt burracakërie”.
“Pa mua nuk mund të vazhdojë, se jam anëtar i PS-së. Unë nuk kam qenë, përveçse për 1 vit e gjysmë sa isha deputet, anëtar i Asamblesë, prandaj dhe nuk isha pjesëmarrës. Ishte një akt burracakërie që të përmendet emri im në mungesë time, pa mundësinë për t’iu përgjigjur në sy të socialistëve që më njohin mirë se kush jam. Unë nuk jam anëtar i asnjë forumi drejtues të PS-së. Nuk e di nga çfarë jam përjashtuar. Mund të jetë zona të cilën unë drejtoja në Tiranë, zona e Astirit. Pyetja që mbetet është: cilin nen të statutit kam shkelur dhe çfarë kam bërë unë kundër PS-së? Anëtarësinë nuk ma heq dot njeri”, tha Ndreca.
Fatmir Xhafaj, Pandeli Majko dhe Erion Braçe, ishin tre socialistët e vjetër që i dolën kundër vendimit të Ramës të shpallur në Asamblenë e PS-së, e zhvilluar dy ditë më parë në një vilë private në Durrës.
Arsye për largimin e Ndrecës nga organizmat e PS, mund të jetë dhe statusi i tij, si avokati kryesor i ekipit mbrojtës të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Raportet e Ramës me Veliajn kohët e fundit kanë qenë mjaft të tensionuara. I pari i Tiranës madje e ka akuzuar kryeministrin për presion nëpërmjet ministrit të Drejtësisë Toni Gogu, ku përveç dorëheqjes nga drejtimi i bashkisë dhe përfshirjes në protesta, i ka kërkuar dhe të mos konsultohet më me Plarent Ndrecën si avokat.
Ndreca thotë se nëpërmjet goditjes politike që Rama po i bën atij, po dëmtohet dhe Erion Veliaj. Pretendimet se gjatë Asamblesë, Rama ka folur me rezerva për përjashtimin dhe të Veliajt, Ndreca thotë se janë veprimet e qeverisë ato që e kanë çuar kryebashkiakun në birucë.
“Nuk di çfarë problemi ka Rama që Veliaj që gjen një avokat sipas interesave të tij. Unë kam bindjen time personale. Nëpërmjet një akti politik dëmtohet përsëri Veliaj, sepse tentohet t’i goditet ekipi mbrojtës i tij. A është kjo ndërhyrje politike? Është shantazh politik. Rama nuk e ka kursyer Veliajn, se ai është në birucë sot për shkak të lëvizjeve të qeverisë. Ai është i përjashtuar se është i izoluar. Kolegët, miqtë e Veliajt, drejtuesit e Asamblesë, kryetari i partisë injorojnë një kërkesë të kryetarit të bashkisë, të anëtarit të Asamblesë. Kush ia lidhi duart dhe e çoi në Fier? Po paraburgimin kush ia zgjati? Ç’donte kryeministri që i bënte presion Veliajt për të lëshuar mandatin? Ka arsyet e tij politike, por është një Kushtetutë që duhet respektuar dhe karriera politike e Veliajt”, tha Ndreca.
Erion Veliaj është transferuar në paraburgimin e Fierit më 28 tetor të këtij viti. Kryebashkiaku që prej arrestimit në shkurt 2025 dhe vendimit të GJKKO-së që i caktoi masën “arrest me burg”, ka qëndruar në IEVP Durrës.
Veliaj është shprehur se nuk ishte njoftuar nga instancat përkatëse për transferimin dhe as nuk kishte dijeni mbi arsyet. Vetë Drejtoria e Burgjeve reagoi publikisht, duke njoftuar se arsyet e transferimit të Veliajt, përbëjnë sekret shtetëror.
I pari i Tiranës publikoi më dy nëntor nëpërmjet avokatit Plarent Ndreca, disa shënime të tij, nga takimi me ministrin e Drejtësisë Toni Gogu, i cili në emër të Ramës e kishte kërcënuar. Vetë ministri reagoi, duke thënë se vizita në paraburgimin e Fierit ishte në kuadër të miqësisë së vjetër që e lidh me Veliajn dhe se pretendimet e palës tjetër ishin të pavërteta.
Veliaj po gjykohet për 13 akuza, mes tyre “korrupsion pasiv”, “pastrim parash”, “mosdeklarim pasurie”, “shpërdorim detyre” dhe “futja e sendeve në burg”. Shumica e akuzave është ajo e korrupsionit pasiv e kryer në 9 raste, në raport me disa kompani për të cilat SPAK thotë se ka marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, të si leje ndërtimi dhe kanë përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.