Situata nga reshjet në Shkodër, dëmtohet një urë në Shalë, rrëshqitje dherash në Fushë-Arrëz
Reshjet e shiut të regjistruara gjatë orëve të fundit në qarkun Shkodër kanë shkaktuar disa problematika në infrastrukturë, ndërsa situata në tërësi paraqitet e qëndrueshme.
Sipas informacionit të Prefekturës së Qarkut Shkodër, në Bashkinë Shkodër, si pasojë e rritjes së prurjeve të përrenjve, është dëmtuar ura në Grykën e Nërshqemit, në fshatin Breg Lumi, në Njësinë Administrative Shalë.
Ndërkohë, në Bashkinë Fushë-Arrëz janë evidentuar rënie gurësh dhe rrëshqitje dherash në disa akse rrugore rurale. Strukturat përgjegjëse janë angazhuar për pastrimin e rrugëve dhe normalizimin e qarkullimit.
Në bashkitë Malësi e Madhe dhe Vau i Dejës nuk raportohen problematika deri në këto momente.
Gjatë 24 orëve të fundit në territorin e qarkut janë regjistruar rreth 65 milimetra reshje shiu. Pavarësisht prurjeve, nivelet e lumit Drin dhe të liqenit vijojnë të jenë nën kuotat e riskut, ndërsa hidrovorët janë funksionalë dhe në gatishmëri.
Prefektura e Qarkut Shkodër bën me dije se monitorimi i situatës vijon në mënyrë të pandërprerë, në koordinim me bashkitë dhe strukturat e Mbrojtjes Civile, me qëllim garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe ndërhyrjen në kohë në rast të problematikave të reja.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes, veçanërisht në zonat malore dhe në akset rrugore ku janë evidentuar rrëshqitje dherash dhe rënie gurësh.