E martë, 17 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Ministri Hoxha nga Brukseli: Bashkëpunim për një të ardhme më të sigurt të popullit ukrainas

Ministri Hoxha nga Brukseli: Bashkëpunim për një të ardhme më të sigurt të popullit ukrainas

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, mori pjesë në Konferencën e Veprimit ndaj Minave në Ukrainë 2026, të zhvilluar në Bruksel, ku theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar për pastrimin e territoreve të ndotura nga minat dhe mbështetjen e procesit të rimëkëmbjes së Ukrainës.

Konferenca, e mbajtur nën moton “Të hapim rrugën përmes partneritetit”, bëri bashkë partnerë ndërkombëtarë për të diskutuar forcimin e bashkëpunimit, mobilizimin e ekspertizës dhe gjetjen e zgjidhjeve konkrete për përballimin e pasojave humanitare, sociale dhe ekonomike të ndotjes nga minat në Ukrainë.

Gjatë fjalës së tij, ministri Hoxha nënvizoi se veprimi ndaj minave shkon përtej një angazhimi humanitar, duke e cilësuar atë si një element thelbësor për rimëkëmbjen dhe rindërtimin e vendit.

“Veprimi ndaj minave është shumë më tepër sesa një angazhim humanitar. Ai është një pjesë thelbësore e rimëkëmbjes së Ukrainës, një parakusht për rindërtimin dhe një investim për një të ardhme më të sigurt, më të begatë dhe më të qëndrueshme”, deklaroi Hoxha.

Kreu i diplomacisë shqiptare theksoi se pastrimi i territoreve nga minat nënkupton rikthimin e jetës normale për qytetarët ukrainas, duke u krijuar mundësi fermerëve të punojnë tokat e tyre, fëmijëve të ndjekin shkollën të sigurt, bizneseve të rifillojnë aktivitetin dhe familjeve të rindërtojnë banesat.

Sipas Hoxhës, ky proces synon jo vetëm rikthimin e tokave të sigurta, por edhe rivendosjen e besimit të komuniteteve për të rimarrë në dorë jetën e tyre dhe për të ndërtuar të ardhmen.

Lini një koment