E martë, 17 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Incidenti me këngën për Kosovën në Bruksel, Shehu dhe Haxhinasto kërkojnë sqarime në Komision

Incidenti me këngën për Kosovën në Bruksel, Shehu dhe Haxhinasto kërkojnë sqarime në Komision

Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Evropën dhe Punët e Jashtme, deputetët e opozitës Tritan Shehu dhe Edmond Haxhinasto kërkuan sqarime për incidentin me këngën nacionaliste serbe për Kosovën në hapjen e Forumit të Dytë të Zgjerimit në Bruksel, si dhe për samitin e NATO-s në Shqipëri, për të cilin diskutohet se mund të mos mbahet në vitin 2027 siç ishte planifikuar, siç njofton Shqiptarja.com.

Deputeti Shehu tha se incidenti me këngën nuk ishte një lapsus i thjeshtë dhe nuk duhet kaluar në heshtje. Sipas tij, mazhoranca e mban në sirtar rezolutën për njohjen e gjenocidit serb në Kosovë, ndaj Shqipëria nuk ka të drejtë t’u kërkojë llogari të tjerëve kur nuk e bën vetë këtë hap, duke shtuar se “kemi frikë nga Vuçiç”.

Për samitin e NATO-s, Shehu kërkoi të dihet arsyeja pse ai nuk zhvillohet në Tiranë dhe kërkoi që kryeministri të vijë në Parlament për të dhënë sqarime. Sipas tij, arsyeja nuk është kontributi i Shqipërisë në NATO, sepse ai kontribut dihej, por mungesa e sigurisë në vend.

Kryetari i Komisionit, Igli Hasani, u përgjigj se autoritetet shqiptare presin përgjigje nga Komisioni Evropian dhe se do t’i bashkohen çdo qëndrimi që do të mbajë Kosova. Për samitin e NATO-s, Hasani tha me bindje se ai do të mbahet në Tiranë dhe se kjo nuk është në diskutim.

Deputeti i Partisë së Lirisë, Edmond Haxhinasto, kërkoi gjithashtu sqarime për incidentin, duke theksuar se ai ndodhi në një aktivitet të organizuar nga Bashkimi Evropian. Sipas tij, fakti që Kosova nuk përfaqësohet në këto formate është regres dhe Shqipëria duhet të jetë më aktive që Kosova të bëhet pjesë e tyre.

Lini një koment