Gjyqi në GJKKO, Erion Veliaj kërkon shtyrjen e seancës për shkak të problemeve shëndetësore
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka kërkuar shtyrjen e seancës gjyqësore në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), përmes një shkrese drejtuar trupit gjykues.
Në dokumentin e paraqitur, Veliaj pretendon se dëshiron të jetë fizikisht i pranishëm në proces, por nuk mund ta përballojë dot transportin nga ambientet e paraburgimit të Fierit drejt Tiranës për shkak të një problemi shëndetësor me këmbën.
Gjithashtu, në shkresën e tij, kryebashkiaku i bën me dije gjykatës se ende nuk i janë vënë në dispozicion dokumentet mjekësore që lidhen me nevojën për kryerjen e një ndërhyrjeje kirurgjikale.
Pas njohjes me këtë kërkesë, trupa gjykuese e GJKKO-së është tërhequr në dhomën e këshillimit për të vendosur mbi vijimin ose shtyrjen e seancës së sotme.