E martë, 17 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Dy të rinjtë shqiptarë humbën jetën tragjikisht në aksident, policia gjermane zbardh dinamikën dhe shkaqet!

Dy të rinjtë shqiptarë humbën jetën tragjikisht në aksident, policia gjermane zbardh dinamikën dhe shkaqet!

Dy të rinj nga Komuna e Rahovecit janë në mesin e tre viktimave të një aksidenti të rëndë trafiku të ndodhur në Gjermani.

Viktimat nga Kosova janë Leart Morina nga fshati Sopniq dhe Berhan Zeka nga Pataqani i Poshtëm, të dy nga Komuna e Rahovecit.

Humbjen e jetës së dy të rinjve e ka konfirmuar edhe kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, i cili u ka shprehur ngushëllime familjeve Morina dhe Zeka, teksa autoritetet gjermane po vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e aksidentit.

Media gjermane nuk ka publikuar emrat e të ndjerëve. Një raport i policisë lokale dha informacion për një aksident me tre të vdekur mes të cilëve dy djem 21 dhe 24 vjeç:

Një aksident tragjik ka ndodhur në Baden-Baden të Gjermanisë, ku tre të rinj kanë humbur jetën dhe dy gra të tjera kanë mbetur të plagosura rëndë, pasi automjeti me të cilin udhëtonin doli nga rruga dhe u rrëzua nga një urë.

Ngjarja ndodhi mëngjesin e së dielës, 15 nëntor 2026, rreth orës 05:45, në rrugën Leopoldstraße. Sipas Policisë gjermane, një grua 43-vjeçare po drejtonte një automjet Mercedes kabriolet, me pesë persona në bord, kur për shkaqe ende nën hetim humbi kontrollin e mjetit.

Automjeti doli nga rruga dhe ra nga një urë rreth 10 metra e lartë, duke përfunduar në një terren të pjerrët dhe duke pësuar dëmtime të mëdha.

Si pasojë e përplasjes, dy të rinj të moshave 21 dhe 24 vjeç humbën jetën në vendngjarje, ndërsa një vajzë 18-vjeçare ndërroi jetë pak më vonë në spital, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta shpëtuar.

Nga aksidenti mbetën të plagosura rëndë edhe drejtuesja 43-vjeçare e automjetit dhe një pasagjere 26-vjeçare, të cilat u transportuan në spital.

Hetimet kanë zbuluar detaje të tjera shqetësuese. Sipas Policisë, tre viktimat që udhëtonin në sediljen e pasme dyshohet se nuk kishin vendosur rripat e sigurimit. Gjithashtu, automjeti ishte projektuar për katër persona, ndërkohë që në të ndodheshin pesë.

Një tjetër element që po hetohet është konsumimi i alkoolit nga drejtuesja e automjetit. Testi i frymëmarrjes tregoi një nivel mbi 1 promil alkool, ndërsa autoritetet morën edhe një mostër gjaku për analiza të mëtejshme. Hetuesit dyshojnë se alkooli mund të ketë ndikuar në humbjen e kontrollit të automjetit.

Në vendngjarje ndërhynë forcat e Policisë, zjarrfikësit, ekipet e urgjencës dhe shërbimet e shpëtimit malor. Prokuroria ka urdhëruar ekspertizë teknike për të përcaktuar rrethanat e sakta të aksidentit.

Autoritetet gjermane u kanë bërë thirrje dëshmitarëve që mund të kenë parë automjetin përpara aksidentit të kontaktojnë Policinë.

Lini një koment