Konferenca e Veprimit ndaj Minave në Ukrainë, Hoxha nga Brukseli: Bashkëpunim për një të ardhme më të sigurt të populli
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, mori pjesë në Konferencën e Veprimit ndaj Minave në Ukrainë 2026, e mbajtur në Bruksel, nën moton “Të hapim rrugën përmes partneritetit.”
Konferenca mblodhi së bashku partnerë ndërkombëtarë rreth një përgjegjësie të përbashkët: forcimin e bashkëpunimit, mobilizimin e ekspertizës dhe avancimin e zgjidhjeve konkrete për të përballuar pasojat shkatërruese humanitare, sociale dhe ekonomike të ndotjes nga minat në Ukrainë.
Gjatë fjalës së tij, Hoxha theksoi se “veprimi ndaj minave është shumë më tepër sesa një angazhim humanitar.”
“Ai është një pjesë thelbësore e rimëkëmbjes së Ukrainës, një parakusht për rindërtimin dhe një investim për një të ardhme më të sigurt, më të begatë dhe më të qëndrueshme”, deklaroi Ministri.
Të hapësh rrugën përmes partneritetit, sipas tij, do të thotë të rikthesh shumë më tepër sesa tokën.
“Do të thotë t’u mundësosh fermerëve të rikthehen në arat e tyre, fëmijëve të shkojnë të sigurt në shkollë, bizneseve të rihapen dhe familjeve të rindërtojnë shtëpitë e tyre. Mbi të gjitha, do të thotë t’u rikthesh komuniteteve besimin për të rimarrë në dorë jetën e tyre dhe t’i japësh Ukrainës themelet mbi të cilat të rindërtojë të ardhmen e saj”, nënvizoi Hoxha.
Ministri i Jashtëm deklaroi se Shqipëria, së bashku me aleatët dhe partnerët e saj, mbetet e palëkundur në mbështetjen për sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës, si dhe në solidaritetin e saj me popullin ukrainas.