E martë, 17 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Tragjedia rrugore në autostradën Fier-Vlorë, i jepet lamtumira e fundit oficerit të policisë Ermal Lulaj! 41-vjeçari ishte

Tragjedia rrugore në autostradën Fier-Vlorë, i jepet lamtumira e fundit oficerit të policisë Ermal Lulaj! 41-vjeçari ishte

Familjarë, të afërm, miq dhe kolegë i kanë dhënë lamtumirën e fundit oficerit të Policisë së Shtetit, Ermal Lulaj, i cili humbi jetën tragjikisht në një aksident rrugor në autostradën Fier-Vlorë, pranë Novoselës.

Homazhet në nderim të tij janë zhvilluar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, ku kolegë dhe drejtues të Policisë së Shtetit kanë shprehur ngushëllimet për familjen dhe kanë kujtuar figurën e 41-vjeçarit.

Ermal Lulaj mbante detyrën e shefit të Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë. Ai ishte baba i tre fëmijëve të mitur dhe largohet nga jeta në mënyrë të parakohshme, duke lënë pas dhimbje të madhe te familjarët dhe kolegët.

Në homazhe mori pjesë edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, me gradën Drejtues Madhor, Skënder Hita, i cili shprehu keqardhjen për humbjen e kolegut dhe vlerësoi figurën e tij njerëzore dhe profesionale.

“Ermalin e kam njohur që në fillimet e karrierës. Ndjej një keqardhje shumë të madhe për mënyrën se si u largua kaq shpejt nga jeta. Na u largua një baba i tre fëmijëve, bir i një familjeje shumë të mirë dhe një koleg i shkëlqyer. I shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe të gjithë kolegëve”, tha drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita.

Aksidenti i rëndë ndodhi rreth orës 18:00, në autostradën “100 Vjetori”, në aksin Fier-Vlorë, ku automjeti Toyota me të cilin udhëtonte efektivi i policisë u përplas me një mjet të tonazhit të rëndë, skrep.

Si pasojë e përplasjes, Ermal Lulaj humbi jetën në vendngjarje, ndërsa drejtuesi i skrepit u dërgua në spital për të marrë ndihmë mjekësore. Humbja e parakohshme e 41-vjeçarit ka tronditur familjen, miqtë dhe kolegët e tij, të cilët do ta kujtojnë si një profesionist dhe një njeri të përkushtuar.

Lini një koment