E martë, 17 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›BRUKSEL – Gjermania financon 300 milionë dollarë të tjera për furnizimin e Ukrainës me armë amerikane

BRUKSEL – Gjermania financon 300 milionë dollarë të tjera për furnizimin e Ukrainës me armë amerikane

BRUKSEL, 17 nëntor /ATSH-DPA/ – Gjermania do të financojë 300 milionë dollarë të tjera për furnizimin e Ukrainës me armë amerikane, me përparësi blerjen e raketave të drejtuara për sistemet e mbrojtjes ajrore “Patriot”.

Lajmi u bë i ditur nga ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius gjatë një takimi të ministrave të Mbrojtjes të Bashkimit Evropian në Bruksel.

Përveç raketave “Patriot”, Gjermania planifikon t’i sigurojë Ukrainës edhe sisteme të mbrojtjes ajrore IRIS-T, të cilat ishin njoftuar më herët, si dhe radarë të rinj për përmirësimin e mbikëqyrjes ajrore, municione për avionët luftarakë F-16 dhe dronë.

Pistorius bëri të ditur gjithashtu se po punohet për të mundësuar përdorimin e raketave IRIS-T edhe me sistemet e mbrojtjes ajrore NASAMS.

Më vonë gjatë ditës, ministri gjerman do të organizojë një takim së bashku me homologun e tij britanik, Wes Streeting, me synimin për të siguruar mbështetje të mëtejshme ushtarake për Kievin.

Pistorius theksoi se ndihma e vazhdueshme për Ukrainën është e nevojshme për shkak të agresionit rus dhe kërcënimeve që ai paraqet për sigurinë e Evropës Perëndimore.

“Mbështetja për Ukrainën nuk është një akt bamirësie”, deklaroi ministri, duke shtuar se çështja nuk lidhet vetëm me solidaritetin dhe ndihmën ndaj një vendi të sulmuar, por edhe me sigurinë e Evropës dhe nevojën për të ndalur presidentin rus, Vladimir Putin.

“Rusia po intensifikon sulmet ajrore, sepse nuk po arrin të avancojë në fushën e betejës”, tha ai.

Sipas Pistorius, pajisjet e reja ushtarake do të sigurohen përmes nismës PURL (Lista e Nevojave të Prioritizuara të Ukrainës), në kuadër të së cilës vendet aleate financojnë blerjen e armëve të prodhuara në SHBA për Ukrainën.

Kjo nismë u krijua pas kërkesës së presidentit amerikan Donald Trump, i cili ka argumentuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë mbajtur një pjesë joproporcionale të barrës financiare për mbështetjen e Ukrainës dhe kërkon që aleatët të paguajnë për ndihmën e mëtejshme ushtarake amerikane.

Sipas Pistorius, Gjermania ka angazhuar fonde në kuadër të kësaj nisme për herë të pestë. Kontributi i ri do të shkojë për një paketë ndihme të përgatitur së bashku me Norvegjinë. /

Lini një koment