E martë, 17 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›FUTBOLL – Rooney rrëfen periudhën më të vështirë të karrierës: Kam menduar t’i jap fund jetës

FUTBOLL – Rooney rrëfen periudhën më të vështirë të karrierës: Kam menduar t’i jap fund jetës

LONDËR, 17 nëntor /ATSH-DPA/ – Ish-sulmuesi i Anglisë dhe Manchester United, Wayne Rooney ka zbuluar se gjatë një periudhe të karrierës së tij, kishte menduar t’i jepte fund jetës, për shkak të problemeve të rënda me shëndetin mendor.

Rooney tregoi se, ndërsa në fushën e lojës po përjetonte një nga periudhat më të suksesshme të karrierës, jashtë saj po përballej me vështirësi të mëdha personale. Kjo ndodhte pavarësisht se, sapo ishte martuar dhe ishte bërë baba për herë të parë, me lindjen e djalit të tij të madh, Kai.

Në një intervistë për podcast-in “Life At The Midpoint with Gabby Logan”, ish-futbollisti rrëfeu se kishte kaluar periudha, kur qëndronte dy ditë rresht në shtëpi duke konsumuar alkool dhe se, në momentin më të vështirë, kishte menduar për vetëvrasje.

“Arrita në një pikë ku po mendoja t’i jepja fund jetës. Thjesht nuk doja të isha pranë askujt. Nuk doja të takoja njerëz në rrugë dhe as të hyja në dyqane”, u shpreh Rooney.

Ai tha se, ndonëse ndihej gjithmonë i sigurt në fushën e futbollit, e kishte shumë të vështirë të përballonte pjesën tjetër të jetës.

Ish-kapiteni i Anglisë, i cili është golashënuesi më i mirë në historinë e Manchester United, theksoi se problemet shfaqeshin pikërisht në kulmin e karrierës së tij.

Rooney pranoi se përpiqej t’i fshihte vështirësitë, pasi nuk donte të shfaqej i dobët dhe e kishte të vështirë të pranonte gjendjen, në të cilën ndodhej.

Ai tregoi se kishte kërkuar ndihmën e një terapisti për të kuptuar se çfarë po i ndodhte, megjithëse nga jashtë dukej se kishte gjithçka për të qenë i lumtur, por në të vërtetë po përjetonte një nga periudhat më të rënda të jetës.

Ish-futbollisti vlerësoi veçanërisht mbështetjen e bashkëshortes së tij, Coleen, e cila i qëndroi pranë, gjatë kësaj periudhe dhe e ndihmoi të kapërcente vështirësitë.

“Coleen më ndihmoi jashtëzakonisht shumë. Ajo mund të ishte larguar, sepse situata ishte e vështirë, por qëndroi pranë meje dhe më ndihmoi ta kaloja”, tha Rooney.

Ai aktualisht është pjesë e programit televiziv të realitetit të ITV-së, “I’m A Celebrity… Get Me Out Of Here” (Unë jam një personazh i famshëm… Më nxirrni që këtej). /

Lini një koment