Vllaznia në rënie të lirë, e pëson edhe nga Partizani
Me ndeshjet e zhvilluara të shtunën e kaluar, Superiorja e femrave ka mbyllur fazën e parë të kampionatit, i cili këtë sezon është zhvilluar me një numër të reduktuar skuadrash, vetëm tetë.
Ndërkohë, Vllaznia, 13 herë radhazi kampione, duket e dorëzuar pas dorëheqjes së presidentit Lazër Matija, njeriu që shkroi faqet më të bukura në historinë e futbollit të femrave në Shqipëri. Kështu, skuadra shkodrane ka pësuar një tjetër goditje, duke regjistruar humbjen e tretë sezonale dhe duke e mbyllur fazën e parë në vendin e katërt të renditjes.
Vllaznia ka shkëmbyer kështu pozicionet me Partizanin, skuadrën që e mundi me rezultatin 1-0 në Kamzë, sfidë e vendosur nga një gol i Tuhana Çiflikut, e cila “përshëndeti” rrjetën shkodrane në minutën e 76-të, duke i dhuruar tri pikët kryeqytetaseve. Trajneri shkodran Nikolin Leka gjatë një komunikimi me gazetarin Abdulla Dushku, ka theksuar se Vllaznia po vijon të luajë thjesht për të mos prishur garën, pasi, sipas tij, për skuadrën shkodrane gjithçka ka marrë fund.
Nga ana tjetër, të kuqet janë futur në vallen e pretendenteve për titullin, ndërsa Apolonia është shpallur kampione e vjeshtës, duke siguruar vendin e parë pas fitores së thellë 7-0 në Fier ndaj skuadrës tjetër shkodrane, Atletik Klub. Edhe Teuta vijon ecurinë pozitive, duke regjistruar fitore të thella në kampionat. Këtë herë, durrsaket triumfuan me rezultatin 8-0 në transfertën e kundër Egnatias, duke ruajtur vendin e dytë në renditje.
Pa shumë histori ishte edhe përballja mes dy skuadrave që ndajnë fundin e tabelës, Kinostudios dhe Lushnjës. Në ndeshjen e zhvilluar në Kamzë, skuadra kryeqytetase e trajnerit Gëzim Gjonpalaj arriti të marrë fitoren e dytë sezonale, duke triumfuar me rezultatin e thellë 7-0.
PANORAMASPORT.AL