E martë, 17 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Abissnet Superiore›Klafuriç vuan përsëri dëmtimet, një nga yjet e skuadrës kthehet vetëm me Elbasanin

Klafuriç vuan përsëri dëmtimet, një nga yjet e skuadrës kthehet vetëm me Elbasanin

Tirana po vijon përgatitjet për sfidën e radhës në kampionat ndaj Vorës. Stafi teknik nuk do të ketë në dispozicion të gjithë grupin gjatë këtyre ditëve.

Bernard Berisha është një prej mungesave të konfirmuara për bardheblutë, pasi nuk do të jetë ende gati për këtë përballje. Sulmuesi mungoi edhe në takimin e fundit ndaj Teutës, ku kryeqytetasit arritën të merrnin një fitore të rëndësishme, ndërsa tashmë mbetet jashtë planeve edhe për ndeshjen e radhës. Mungesa e tij është një tjetër shqetësim për stafin teknik, që duhet të bëjë llogaritë për sfidën me Vorën.

KOMBËTARET – Nga ana tjetër, një lajm pozitiv për Tiranën është rikthimi gradual i futbollistëve që kanë qenë të angazhuar me ekipet përfaqësuese. Plot pesë lojtarë të bardhebluve kanë marrë ftesa nga kombëtaret e tyre, duke bërë që skuadra të mos ketë grupin e plotë në dispozicion gjatë kësaj periudhe. Megjithatë, të gjithë pritet të bashkohen me ekipin deri të mërkurën, duke i dhënë mundësi trajnerit të punojë me organikën e plotë në prag të sfidës së radhës.

Bëhet fjalë për Bojan Ilievskin, i cili është grumbulluar nga Maqedonia e Veriut, Zhozef Kollejn me Gambian, Visar Bekajn me Kosovën, Serxho Voglin me Shqipërinë U19 dhe Bazilio Ndongun me Guinenë Ekuatoriale. Pesë futbollistët kanë përfaqësuar ngjyrat e vendeve të tyre në këtë periudhë, ndërsa tashmë pritet të rikthehen në kryeqytet për t’iu bashkuar përgatitjeve me skuadrën.

Kështu, deri të mërkurën Tirana synon të ketë të gjithë futbollistët e angazhuar me kombëtaret në dispozicion. Kjo do t’i japë stafit teknik më shumë alternativa për të përgatitur ndeshjen me Vorën, ku bardheblutë do të kërkojnë të vazhdojnë me rezultate pozitive pas suksesit të fundit ndaj Teutës.

Megjithatë, për trajnerin mbetet për t’u zgjidhur edhe çështja e Bernard Berishës, i cili nuk pritet të jetë pjesë e këtij takimi. Kujtojmë që Tirana ka 15 pikë në renditje dhe kërkon që të jetë sa më pranë kreut për të synuar trofe këtë sezon në Kategorinë Superiore.

PANORAMASPORT.AL

Lini një koment