PS mbledh grupin parlamentar para shqyrtimit të buxhetit 2027, Rama mbërrin në Parlament
Pak para nisjes së seancës plenare, Partia Socialiste ka mbledhur grupin parlamentar në ambientet e Parlamentit. Në mbledhje është i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, i cili ka mbërritur në godinën e Parlamentit rreth orës 09:45.
Ndërkohë, në seancën e sotme plenare në rendin e ditës është shqyrtimi në parim i projektbuxhetit për vitin 2027 dhe paketa fiskale. Projektligjet kanë kaluar më herët në komisionet parlamentare dhe do të diskutohen për herë të parë në sallën e Parlamentit.
“Kryeministri Edi Rama ka mbërritur për mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, pak minuta para nisjes së seancës plenare, për të dhënë udhëzimet përkatëse. Rama do të jetë i pranishëm në seancë, pasi atij i takon prezantimi i projektbuxhetit për vitin 2027, me një vlerë prej mbi 10 miliardë eurosh.. Po ashtu, ka mbërritur edhe grupi parlamentar i PD-së, me në krye Sali Berishën. Demokratët kanë njoftuar se do të votojnë kundër, por do të jenë të pranishëm në seancë për të paraqitur kundërshtimet e tyre si për projektbuxhetin, ashtu edhe për paketën fiskale. Pritet të jetë një seancë e gjatë, ndërsa Rregullorja e Kuvendit parashikon mundësinë që diskutimet për projektbuxhetin, të cilat sot zhvillohen në parim, si dhe votimi në parim, të vijojnë edhe ditën e enjte, deri në përfundimin e tyre. Seanca pritet të jetë e qetë dhe nuk parashikohen përplasje, pasi këtë herë PD-ja do të mbajë një qëndrim në sallë lidhur me buxhetin e vitit 2027. Secili prej deputetëve të PD-së dhe forcave të tjera opozitare ka kërkuar fjalën në foltore për të shprehur qëndrimet dhe mendimet e tij”, tha gazetarja e Euronews Enkelejda Mema.