Debate në Kuvend për ligjin e strehimit, Tabaku: Po shkelni rregulloren. Abuzuat me fondet e rindërtimit. Balla: 10 mijë familje presin të marrin banesat
Ligji për strehimin social është bërë pjesë e debateve në seancën e sotme plenare në Kuvend, ku deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka kundërshtuar përfshirjen e tij në rendin e ditës, duke e cilësuar këtë veprim si shkelje të Rregullores së Kuvendit, në seancë ku është parashikuar të diskutohet buxheti 2027.
Gjatë fjalës së saj, Tabaku deklaroi se ka qenë praktikë parlamentare projektligjet e lidhura me buxhetin të mos përfshihen në të njëjtën seancë pa respektuar procedurat përkatëse.
Ajo ngriti gjithashtu akuza për mënyrën se si janë përdorur fondet e rindërtimit, duke kërkuar llogari për 1.2 miliardë eurot e alokuara dhe duke vënë në pikëpyetje shpërndarjen e banesave për familjet e prekura nga tërmeti.
“Ju keni bërë tendera, por nuk keni shpërndarë banesat. Ky pr.ligj prezantohet në buxhet dhe më pas nuk ka buxhet për ta zbatuar. Përfshihet vetëm për të bërë tendera. Ku shkuan 1.2 miliardë euro të rindërtimit? Pse nuk janë shpërndarë banesat?”, deklaroi Tabaku.
Nga ana tjetër, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, hodhi poshtë pretendimet për shkelje procedurale, duke deklaruar se procedura për shqyrtimin e projektligjit është respektuar plotësisht.
Balla theksoi se shumica nuk mund të vonojë trajtimin e tij, duke pasur parasysh rëndësinë që, sipas tij, ka për 10 mijë familje në vend.
Ai i bëri thirrje opozitës që të përqendrohet te diskutimi i buxhetit dhe paketës fiskale për vitin 2027, duke kërkuar mbështetjen e propozimeve për uljen e TVSH-së për ushqimet dhe të taksës së qarkullimit.
“Për ligjin e strehimit, që 10 mijë familje në vend të mos presin më për të hyrë në shtëpitë e tyre, ne nuk presim asnjë minutë. Ju ftoj të diskutojmë për buxhetin dhe paketën fiskale 2027, pasi është në nderin tuaj që njëherë të votoni për qytetarët. Të votoni uljen e TVSH-së së ushqimeve dhe uljen e taksës së qarkullimit, propozime që shqiptarët ju kanë sjellë në Kuvend. Votoni njëherë të vetme për ta, në vend që të votoni kundër buxhetit”, u shpreh Balla.
Në përfundim, propozimi për ndryshimin e rendit të ditës dhe heqjen e projektligjit për strehimin nga shqyrtimi në seancën e sotme u rrëzua me 80 vota kundër dhe 18 pro.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.