Protestat, Rama ironizon kundërshtarët: Të jesh në qeveri e të kërkojnë largimin është e natyrshme, e dhimbshme të mos
“Të jesh në pushtet dhe të kërkojnë llogari me protesta, është gjëja më e natyrshme. Por të jesh në opozitë dhe mos të të pranojnë në protestë, është gjëja më e dhimbshme”. Kështu deklaroi kryeministri Edi Rama nga foltorja e Kuvendit, teksa komentoi situatën në vend.
Rama u ndal edhe në progres raportin e BE, duke e cilësuar si historike arritjet e Shqipërisë dhe përgatitjen e traktatit për anëtarësim në vitin 2027.
Po ashtu, kryeministri iu përgjigj edhe akuzave të deputetes së PD Jorida Tabaku.
“Dua ta nis me një fakt që është mirë ta dëgjojnë të gjithë.
Në raportin e progresit të BE ka një togfjalësh që i thotë të gjitha arsyet pse ne jemi krenar për punën tonë, pse ne duhet të vazhdojmë deri në fund punën tonë dhe pse askush tjetër nuk e bën dot punën tonë. Në vitin 2027, do nisin përgatitjet për traktatin për anëtarësimin në BE. Nuk ka asnjë mundësi dhe nuk ka asnjë shans që një rekomandim i tillë historik ti bëhet Këshillit nga Komisioni Europian.
Të jesh në pushtet dhe të kërkojnë llogari me protesta, është gjëja më e natyrshme. Por të jesh në opozitë dhe mos të të pranojnë në protestë, është gjëjë më e dhimbshme. Kjo vlen për tu kuptuar se çfarë janë këta, që nuk janë fare relevant në këtë vend, jo vetëm fizikisht, por edhe politikisht. Zonja Tabaku është një zëdhënëse e palodhur e fjalës vjedhje. Sa herë e përmend ajo këtë fjalë, unë mendoj se çfarë do bënte nëse do kishte mundësi. Tha se unë kam ardhur këtu për kartonin., unë kam ardhur këtu për fjalën hyrëse, për një buxhet që është historik për Shqipërinë. Për herë të parë prek tavanin e 10 mld euro”, tha Rama.