E mërkurë, 18 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Ligji i ri i strehimit, Rama: Përfitojnë 10 mijë familje. Taksë më e lartë për apartamentet bosh apo ato të luksit

Ligji i ri i strehimit, Rama: Përfitojnë 10 mijë familje. Taksë më e lartë për apartamentet bosh apo ato të luksit

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar në Kuvend ligjin e ri të strehimit, duke bërë të ditur se 10 mijë familje do të përfitojnë nga skemat e reja të mbështetjes për strehimin.

Rama bëri të ditur se politika e re e strehimit do të përfshijë edhe zgjerimin e fondit të banesave të ndërtuara nga vetë Fondi i Strehimit.

Një tjetër element i paketës fiskale është rritja e taksimit për apartamentet që mbahen bosh dhe nuk hidhen në tregun e qirave. Sipas Ramës, kjo masë synon të nxisë përdorimin e banesave dhe të rrisë ofertën në tregun e qirave, duke mos u konsideruar si ndërhyrje ndaj të drejtës së pronës apo investimeve private.

“Janë 1 mijë familje që përfshihen në skemat e kreditimit të lehtësuar dhe 2 mijë familje të tjera që mbështeten me subvencionimin e qirasë në tregun e lirë. Janë edhe 7 mijë familje të tjera, pra gjithsej 10 mijë familje që do të përfitojnë nga kjo qasje e re për strehimin. Ndërkohë, ne do të përfshijmë në këtë politikë të re edhe zgjerimin e stokut të banesave që ndërtohen nga vetë Fondi i Strehimit. Nuk mund të kemi realitete ku apartamentet mbahen bosh si depo pasurie, ndërkohë që për familjet e reja qiraja bëhet gjithnjë e më e lartë. Prandaj, në paketën e sotme fiskale ka një propozim për të rritur taksën për apartamentet që mbahen bosh, duke pasur parasysh natyrisht edhe pronarët e huaj”, tha Rama.

Rama theksoi se duhet bërë dallimi mes apartamenteve të dyta dhe pronave luksoze, si vilat në bregdet, duke argumentuar se këto kategori duhet të trajtohen në mënyrë të diferencuar nga politikat fiskale.

“Regjimi i ri i taksimit për apartamentet bosh që nuk hidhen në tregun e qirave nuk është një qasje agresive ndaj të drejtës së pronës apo ndërhyrje ndaj atyre që investojnë, por synon të nxisë përdorimin produktiv të stokut të banesave në aspektin social dhe të ndihmojë që tregu i qirave të ketë një ofertë më të gjerë. Kjo shkon në të njëjtën logjikë me trajtimin e diferencuar të pronave të luksit, përfshirë vilat në bregdet apo konsumin e ujit në pishina. Është koha që të ndahen kategoritë. Apartamentet e dyta janë një gjë dhe vilat në bregdet janë diçka krejt tjetër”, tha Rama.

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Lini një koment