Rama shpjegon ndryshimet në paketën fiskale: Rritet TVSH-ja për mallrat jashtë shportës bazë dhe tatimi mbi dividendin në 15%
Kryeministri Edi Rama ka shpjeguar në Kuvend arsyet e ndryshimeve të propozuara në paketën fiskale, duke u ndalur te rritja me një pikë përqindje e normës standarde të TVSH-së për mallrat jashtë shportës bazë dhe te rritja e tatimit mbi dividendin nga 8% në 15%.
Gjatë fjalës së tij, Rama argumentoi se ushqimet bazë dhe mallrat e tjera të konsumit nuk duhet të kenë të njëjtën barrë fiskale, duke theksuar se politika e qeverisë synon të lehtësojë barrën për familjet me të ardhura të ulëta.
“Dua të shpjegoj se pse ne rrisim një pikë përqindje normën standarde të TVSH për mallrat jashtë shportës bazë. Sepse nuk ka asnjë arsye që barra fiskale mbi ushqimin e domosdoshëm të një familje me të ardhura të pakta të trajtohet në të njëjtën mënyrë si taksimi i konsumit të mallrave të tjera. Ne vazhdojmë t’i mbetemi besnikë asaj që jemi për sa kohë i përkasim kësaj partie të mbledhur dhe fuqizuar në vite rreth atij trëndafilit që është simboli ynë , që do të thotë se ne jemi partia që mendon për ata që fitojnë më pak. Ne besojmë që ata që fitojnë më shumë të kontribuojnë më shumë, në mënyrë që ata që fitojnë më pak të mos jenë të detyruar të kontribuojnë më shumë për të patur më shumë”, tha Rama.
Kryeministri u ndal edhe te ndryshimi i tatimit mbi dividendin, i cili propozohet të rritet nga 8% në 15%, ndërsa tatimi mbi fitimin e sipërmarrjes do të mbetet i pandryshuar në nivelin 15%.
Sipas Ramës, kjo politikë synon të nxisë riinvestimin e të ardhurave nga bizneset, ndërsa të ardhurat personale nga dividenti të kontribuojnë më shumë në buxhetin e shtetit.
“Problemi ynë nuk janë të pasurit, problemi është hendeku mes atyre që kanë shumë dhe atyre që kanë shumë më pak, prandaj e mbajmë të pandryshuar tatimin 15% të fitimit të sipërmarrjes, por ama rrisim fitimin mbi dividentin nga 8 në 15% sepse kur vjen fjala për të riinvestuar të ardhurat e fituara, jemi me sipërmarrjen, kur vjen fjala për të kontribuar me taksa për buxhetin e shtetit me të ardhura personale, ne jemi me ata që fitojnë më pak, jo ata që fitojnë më shumë”, theksoi Rama.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.