Protestat masive të shqiptarëve për mbrojtjen e autonomisë së Kosovës 38 vjet më parë
Më 18 nëntor të vitit 1988, qindra mijëra shqiptarë zbritën në rrugët e Kosovës, duke kërkuar të drejtat e tyre, ndërsa në duar mbanin edhe flamuj kombëtarë.
Demonstratat e datës 18, ishin pjesë e lëvizjes masive të protestave të nëntorit 1988, të cilat nisën pas marshimit të minatorëve të Trepçës dhe u zgjeruan me pjesëmarrjen e dhjetëra mijëra qytetarëve, punëtorëve e studentëve në Prishtinë dhe qytete të tjera
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujton se, demonstratat e nëntorit të vitit 1988 në Kosovë, shënojnë fillimin e një rezistence masive të shqiptarëve kundër përpjekjeve të Sllobodan Millosheviçit për ndalimin e autonomisë së Kosovës, autonomi e cila ishte e garantuar me kushtetutën e vitit 1974.
Në protestat masive paqësore ishin studentët, nxënësit, punëtorët dhe qytetarët. Për disa ditë me radhë shqiptarët vërshuan në rrugë, ndërsa karakteristikë e këtyre tubimeve ishte taktika e kujdesshme politike. Këto organizime u pasqyruan edhe në shtypin shqiptar të kohës, të shoqëruara edhe me komentet e gazetave të huaja.
Rezistenca e nëntorit të vitit 1988 u pasua nga greva e urisë e minatorëve në shkurt të vitit 1989 dhe demonstratat e përgjakshme të marsit 1989, kur Serbia ndaloi me forcë autonominë e Kosovës.