E mërkurë, 18 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Rama prezanton buxhetin 2027: Dyfishim i bonusit për pensionistët dhe ligj i ri strehimi për të rinjtë

Rama prezanton buxhetin 2027: Dyfishim i bonusit për pensionistët dhe ligj i ri strehimi për të rinjtë

Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar projektbuxhetin e vitit 2027 si historik, duke theksuar se për herë të parë buxheti i shtetit shqiptar kalon kufirin e 10 miliardë eurove. Gjatë fjalës së tij në seancën plenare, Rama deklaroi se ky buxhet nuk është i rëndësishëm vetëm për rritjen e mundësive ekonomike të vendit, por edhe për lehtësimin e kostos së jetesës për familjet shqiptare.

Rama tha se prioritet i këtij buxheti janë dy kategori: pensionistët dhe të rinjtë. Ai bëri të ditur se nga 1 janari do të dyfishohet bonusi i pensioneve, ndërsa do të votohet edhe ligji i strehimit, i cili synon të mbështesë të rinjtë.

“Është një marrëdhënie e patjetërsueshme e kësaj partie me këtë kategori (pensionistët). Ata akoma vazhdojnë t’i besojnë lapsit dhe llogarisë. Ata e dinë më mirë se kushdo se çfarë do të thotë të rrisësh një ekonomi me mund dhe të shpërndash atë që mbetet nga mundi.

Ndërkohë që ka pensionistë që jetojnë me pak dhe kanë kontribuar për vendin, ne nuk mund të mbetemi vetëm te rritja ekonomike nëse nuk qëndrojmë pranë tyre për një detyrim tonin ndaj tyre.

Pensionet rriten me ekonominë dhe, falë rritjes nga janari, do të dyfishojmë rritjen e vitit që lamë pas. Edhe në vijim do të bëjmë të njëjtën gjë.

Pensionistët dhe të rinjtë janë në fokus të politikës sonë. Parlamenti do të kalojë edhe një ligj, atë të strehimit, një ligj falë të cilit ne do të kemi një transformim tërësor të qasjes ndaj strehimit. Nuk flasim vetëm për ata që janë të varfër, por edhe për ata që janë të rinj. Ne nuk mund ta pranojmë si një realitet të pandryshueshëm që një çift i ri që përpiqen ta shohin të ardhmen në Shqipëri, ta kenë gjithmonë e më të vështirë që të ndërtojnë një çati mbi kokë. Ne nuk mund ta pranojmë që kryeqyteti ynë bëhet gjithmonë e më i pasur, por ndërkohë një pjesë e të rinjve, që janë e ardhmja e kryeqytetit dhe atyre qyteteve dhe që kontribuojnë me punën e tyre, ta kenë gjithnjë e më të vështirë ta imagjinojnë veten të pavarur. Prandaj duhet PS në këtë mes. Këtu ka edhe ulëritës profesionistë që bëjnë lekë në pallate pa leje. Ne s’do ta bëjmë këtë duke anatemuar ndërtimin dhe kullat. Sepse njerëzit duhet ta mësojnë se çfarë ka në ato kulla për ta. Se çfarë vjen nga taksat e atyre kullave për fondin e strehimit. Ndërkohë fillojmë nga buxheti, pa llogaritur se çfarë vjen me ligjin e ri të strehimit. Në total janë 10 mijë familje që do të përfitojnë nga kjo qasje e re për strehimin”, tha Rama.

Lini një koment