Guvernatori Sejko: Ekonomia shqiptare pritet të vijojë rritjen, inflacioni lehtësisht mbi objektiv në muajt në vijim
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ka deklaruar se ekonomia shqiptare pritet të vijojë të rritet me ritme të qëndrueshme gjatë periudhës afatmesme, ndërsa inflacioni parashikohet të shënojë një rritje të lehtë mbi objektivin e Bankës së Shqipërisë në tremujorët e ardhshëm.
Gjatë konferencës për shtyp për vendimmarrjen e politikës monetare, më 3 nëntor 2026, Sejko u shpreh se projeksionet ekonomike të skenarit bazë mbeten pozitive, me rritje ekonomike pranë potencialit të vendit.
Megjithatë, guvernatori theksoi se pasiguritë lidhur me këto parashikime janë shtuar, duke kërkuar një vlerësim të kujdesshëm të zhvillimeve ekonomike.
Sipas parashikimeve, inflacioni pritet të qëndrojë lehtësisht mbi objektivin në tremujorët në vijim, për t’u kthyer pranë tij në horizontin afatmesëm.
Në kushtet e këtyre zhvillimeve, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka vendosur të mos ndryshojë qëndrimin e politikës monetare.
“Projeksionet ekonomike të skenarit bazë mbeten pozitive: ekonomia shqiptare pritet të rritet me ritme solide dhe pranë potencialit gjatë afatit të mesëm, ndërkohë që inflacioni parashikohet të rritet lehtësisht mbi objektiv gjatë tremujorëve në vijim dhe të kthehet pranë tij në horizontin afatmesëm. Megjithatë, pasiguritë rreth këtyre parashikimeve paraqiten të shtuara. Në këto rrethana, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar qëndrimin e politikës monetare”, deklaroi Sejko.