Vijojnë punimet për rindërtimin e konakut në manastirin 500-vjeçar të Dhuvjanit
Në manastirin e Shën Qirjakut dhe Julitës në Dhuvjan, vijojnë punimet për rindërtimin e konakut.
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër e cilësoi këtë ndërhyrje si të rëndësishme për ruajtjen dhe rijetëzimin e trashëgimisë sonë kulturore, historike dhe shpirtërore.
Manastiri i Shën Julitës dhe Qirikut në Dhuvjan është një thesar i rrallë i trashëgimisë mesjetare. I vendosur në një mjedis të qetë mes natyrës, ky vend i shenjtë përbën një ndalesë mbresëlënëse për dashamirësit e historisë, studiuesit dhe të apasionuarit pas arkitekturës.
Si Monument Kulture i Kategorisë së Parë, objekti gëzon një rëndësi të veçantë, që lidhet me autenticitetin dhe identitetin e tij historik.
I ndërtuar në vitin 1588, ai përfaqëson një mrekulli të vërtetë të arkitekturës mesjetare, duke dëshmuar mjeshtërinë e ndërtuesve të kohës.
Punimet po realizohen falë financimit të World Monuments Fund (WMF), me zbatimin nga Cultural Heritage without Borders (CHwB) dhe mbështetjen e DRTK Gjirokastër, Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore (IKTK) dhe Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit.