BRUKSEL – Inflacioni në Eurozonë arrin nivelin më të lartë në tre vjet, çmimet e energjisë rriten me 21%
BRUKSEL, 18 nëntor /ATSH-DPA/- Inflacioni në vendet që përdorin monedhën euro, arriti në 4% në muajin tetor, duke shënuar nivelin më të lartë që nga shtatori i vitit 2023. Rritja u ndikua kryesisht nga shtrenjtimi i energjisë, sipas të dhënave të publikuara sot nga Zyra Evropiane e Statistikave, “Eurostat”.
Në shtator, inflacioni ishte 3,8%, ndërsa në tetor u rrit në 4%. Kjo do të thotë se çmimet e mallrave dhe shërbimeve që blejnë qytetarët, janë rritur më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Rritjen më të madhe e shënoi energjia, çmimet e së cilës u rritën me 21% krahasuar me tetorin e vitit të kaluar. Kjo ishte rritja më e lartë mes kategorive kryesore të produkteve dhe shërbimeve.
Edhe çmimet e shërbimeve, si transporti, shërbimet e ndryshme dhe aktivitetet e tjera që paguajnë qytetarët, shënuan rritje. Ato u rritën me 3,3% në tetor, nga 3,2% që ishte kjo rritje në shtator.
Ndërkohë, çmimet e ushqimeve, pijeve alkoolike dhe duhanit u rritën me 1,5%, krahasuar me 1,3% një muaj më parë.
Edhe produktet industriale që nuk lidhen me energjinë, si veshjet, pajisjet shtëpiake dhe mallrat e tjera të përdorimit të përditshëm, shënuan një rritje të lehtë të çmimeve, nga 1,1% në 1,2%.
Një tjetër tregues i publikuar nga “Eurostat” është inflacioni bazë, i cili mat rritjen e çmimeve duke përjashtuar energjinë, ushqimet, pijet alkoolike dhe duhanin. Ky tregues u rrit në 2,6% në tetor, nga 2,5% në shtator.
“Eurostat” konfirmoi gjithashtu se çmimet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 0,5% vetëm nga shtatori në tetor. Një muaj më parë, rritja mujore kishte qenë 0,6%.
Ndërkohë, Banka Qendrore Evropiane (BQE) vendosi në tetor të mos ndryshojë normat bazë të interesit, pas rritjes së tyre në shtator.
Normat e interesit përcaktojnë koston e marrjes së kredive dhe ndikojnë në shpenzimet e qytetarëve dhe bizneseve.
Banka Qendrore i përdor ato si një instrument për të frenuar rritjen e çmimeve. Kur interesat rriten, kreditë zakonisht bëhen më të shtrenjta dhe qytetarët e bizneset priren të shpenzojnë më pak.
BQE-ja po vlerëson efektet e vendimeve të mëparshme për interesat dhe po ndjek zhvillimet në tregun financiar, përfshirë luhatjet e interesave të obligacioneve shtetërore franceze. /