E mërkurë, 18 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›FOKUS – Gjermania synon ndërtimin e raketa precize që mund të godasin objektiva nga hapësira

FOKUS – Gjermania synon ndërtimin e raketa precize që mund të godasin objektiva nga hapësira

BERLIN, 18 nëntor /ATSH-DPA/- Dy kompani të teknologjisë së lartë në Gjermani kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për ndërtimin e pajisjeve ushtarake, që mund të dërgohen në hapësirë dhe të përdoren për të goditur objektiva në distanca të largëta.

Bëhet fjalë për kompaninë e mbrojtjes MBDA dhe kompaninë “ATMOS Space Cargo”, të dyja me seli në jug të Gjermanisë. Marrëveshja u njoftua sot nga MBDA-ja.

Qëllimi i bashkëpunimit është të studiohet dhe të zhvillohet një teknologji, që do të mundësojë dërgimin e pajisjeve ushtarake në orbitën e Tokës dhe kthimin e tyre në Tokë, me synimin për të krijuar armë që mund të godasin me saktësi objektiva shumë larg, madje edhe në brendësi të territorit të një vendi kundërshtar.

Kompanitë synojnë të zhvillojnë një sistem, përmes të cilit pajisje ushtarake mund të transportohen në hapësirë dhe më pas të përdoren për sulme me rreze të gjatë veprimi.

MBDA-ja është një kompani e specializuar në prodhimin e raketave të drejtuara me saktësi dhe kokave shpërthyese. Ajo po ndërton aktualisht, sisteme të reja armatimi dhe është pjesë e një bashkëpunimi industrial me gjigantët evropianë të mbrojtjes “Airbus”, “BAE Systems” dhe “Leonardo”.

Ndërkohë, “ATMOS Space Cargo” është e specializuar në teknologjinë hapësinore dhe transportimin e ngarkesave në hapësirë.

Të dyja kompanitë synojnë të bashkojnë përvojën e tyre në teknologjinë ushtarake dhe atë hapësinore, për të studiuar mënyrat se si pajisjet ushtarake mund të dërgohen në orbitën e Tokës dhe të rikthehen më pas në sipërfaqen e saj.

Përdorimi i hapësirës për vendosjen e pajisjeve dhe armëve ushtarake është një çështje e debatueshme ndërkombëtarisht, për shkak të rreziqeve që mund të sjellë për sigurinë globale.

Në shtator, SHBA-ja konfirmoi se kishte vendosur armë në hapësirë. Gjithashtu, mediet kanë raportuar për një satelit rus, i cili po ndiqte një satelit amerikan të pajisur me radar dhe që i ishte afruar në mënyrë të rrezikshme.

Zhvillime të tilla kanë shtuar shqetësimet për mundësinë e përhapjes së garës së armatimeve edhe në hapësirë. /

Lini një koment