E mërkurë, 18 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›“Buxheti jep vetëm tendera, prokurime e koncesione”- Tabaku në Kuvend: Familjet dhe bizneset do të paguajnë më shumë!

“Buxheti jep vetëm tendera, prokurime e koncesione”- Tabaku në Kuvend: Familjet dhe bizneset do të paguajnë më shumë!

Në debatin për buxhetin 2027, deputetja e PD-së akuzoi kryeministrin për kapjen e shtetit dhe kundërshtoi masat fiskale që, sipas saj, shtojnë barrën mbi familjet, pensionistët dhe sipërmarrjen.

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, iu përgjigj kryeministrit Edi Rama në Kuvend, duke e akuzuar se ka ngritur dhe mbrojtur një sistem korrupsioni që u shërben interesave të një pakice.

Në debatin për buxhetin dhe paketën fiskale 2027, ajo argumentoi se qeveria shton barrën mbi familjet dhe biznesin, ndërsa orienton fondet drejt tenderave e koncesioneve.

Replika erdhi pasi Rama e përmendi katër herë gjatë fjalës së tij. Tabaku e lidhi përgjegjësinë politike të kryeministrit me akuzat për korrupsion ndaj drejtuesve të lartë të qeverisjes, duke deklaruar se sistemi ku shteti është i kapur “ka një emër: ka Edi Ramën”.

Në analizën e paketës fiskale, deputetja kundërshtoi rritjen e normës standarde të TVSH-së në 21% dhe uljen e pragut për përfshirjen e biznesit të vogël në këtë skemë, nga 10 në 5 milionë lekë. Sipas saj, masat do të sjellin kosto më të larta për sipërmarrjet dhe më pak para në buxhetet familjare, duke prekur edhe profesionistët e lirë e shtresën e mesme.

Për uljen e TVSH-së në 6% për 54 produkte të shportës, Tabaku ngriti shqetësimin se mungesa e konkurrencës mund të pengojë kalimin e përfitimit te konsumatori. Ajo argumentoi se ulja për disa produkte shoqërohet me rritjen e taksimit të mallrave e shërbimeve të tjera.

Tabaku vuri në pikëpyetje edhe konsultimin e paketës me biznesin. Sipas saj, përfaqësuesve të sipërmarrjes fillimisht iu komunikua se nuk do të kishte ndryshime taksash, ndërsa propozimet u dërguan më pas gjatë natës.

“Një buxhet që nuk e di as ministri se kush e ka shkruar”, deklaroi ajo.

Deputetja kërkoi gjithashtu një përgjigje të menjëhershme për prodhuesit dhe eksportuesit që, sipas saj, po humbin vende pune dhe po mbyllin aktivitetin si pasojë e rënies së euros.

Pas ndërhyrjes së kryetarit të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, Tabaku e vijoi kritikën ndaj mënyrës së përdorimit të fondeve publike. Ajo argumentoi se madhësia e buxhetit nuk përkthehet në lehtësim të kostos së jetesës për familjet dhe pensionistët.

“Buxheti di të japë vetëm prokurime, tendera dhe koncesione”, tha Tabaku në replikën me Ballën.

Lini një koment