Ngritën tre plantacione kanabisi në Belgjikë, çmontohet organizata shqiptare, arrestohen 6 prej tyre! Sekuestrohet edhe sasi
Një operacion i Policisë në Belgjikë ka nxjerrë në pah përfshirjen e disa shqiptarëve në kultivimin e paligjshëm të kanabisit.
Sipas mediave vendase, gjashtë shqiptarë janë arrestuar gjatë një aksioni të zhvilluar nga hetuesit e policisë lokale të Leuvenit, në kuadër të një hetimi për një organizatë kriminale që dyshohet se merrej me kultivimin e lëndëve narkotike.
Operacioni u zhvillua të hënën, më 9 nëntor 2026, nën drejtimin e një prokurori, ndërsa u kryen njëkohësisht pesë kontrolle banesash në zonat e Leuvenit, Halle-Vilvoorde dhe Brukselit, konkretisht në Etterbeek, Evere, Leuven, Overijse dhe Tervuren.
Gjatë kontrolleve u zbuluan tre plantacione profesionale kanabisi, dy prej të cilave ishin në funksion të plotë. Sipas Prokurorisë belge, në total u gjetën më shumë se 2 mijë bimë kanabisi, si dhe sasi të konsiderueshme marihuane të korrur.
Policia sekuestroi rreth 55 kilogramë marihuanë dhe mbi 17 mijë euro para të gatshme. Të gjitha lëndët narkotike të gjetura u sekuestruan dhe do të asgjësohen, ndërsa plantacionet u çmontuan.

Gjashtë personat e arrestuar janë meshkuj, të moshës nga 29 deri në 57 vjeç, të gjithë me shtetësi shqiptare. Ata u paraqitën para gjyqtarit, i cili vendosi arrestimin e tyre. Aktualisht, të gjashtë ndodhen në burg.
Ky nuk është rasti i parë që shqiptarët përfshihen në hetime për kultivimin e paligjshëm të kanabisit në Belgjikë. Në dhjetor të vitit 2025, një gjykatë në Bruksel dënoi me burg 10 shqiptarë për përfshirje në kultivimin e paligjshëm të kanabisit, informon media belge.
Ndërkohë, në qershor të vitit 2026, një hetim i përbashkët i mediave belge Knack, Le Soir dhe RTBF evidentoi zgjerimin e rrjeteve kriminale shqiptare në Belgjikë.