Foda pas humbjes në Dublin: nuk duhej ai karton i kuq, Liga B është nivel tjetër
Trajneri i Kosovës, Franco Foda, ka folur pas humbjes 3-0 ndaj Irlandës në Dublin, ndeshje me të cilën Dardanët e mbyllën fushatën në Grupin 3 të Ligës B të Ligës së Kombeve. Siç njofton Telegrafi, tekniku theksoi se skuadra e tij e nisi mirë takimin, por episodi i kartonit të kuq ndryshoi gjithçka.
“Filluam mirë. Në 20-25 minutat e parë ishim më të mirë dhe më dominantë. Është dashur të kalojmë në epërsi. Pas kartonit të kuq ishte vështirë të luajmë me një lojtar më pak. Pas golit të dytë ishte shumë e vështirë, pasi Irlanda bëri edhe më shumë presion”, deklaroi Foda.
Ai u ndal veçanërisht te përjashtimi i Kreshnik Hajrizit në pjesën e parë. “Në këtë nivel nuk mund të luash dy ndeshje rresht me një lojtar më pak. Nuk është dashur të ndodhë kartoni i kuq. Skuadra mori mësim nga këto lojë. E pamë që Liga B është nivel tjetër me Ligën C”, shtoi trajneri.
Foda foli edhe për minutazhin e lojtarëve në klubet e tyre: “Shumë lojtarë kanë luajtur pak në klubet e tyre. E rëndësishme tani është që lojtarët të luajnë më shumë në klubet e tyre”.
Kosova e mbylli Grupin 3 të Ligës B në vendin e tretë me gjashtë pikë, duke mbetur pa play-off për promovim në Ligën A.